Termocentrali i ri nuk mund të ndërtohet deri në vitin 2020

Kosova do të blejë energji elektrike nga vendet e rajonit edhe për më së paku 6 vjetët e ardhshme, për shkak se ndërtimi i termocentralit "Kosova e Re" nuk mund të fillojë brenda dy vjetëve, ndërsa ndërtimi i një termocentrali më së paku zgjat pesë vjet.

Lajme

28/07/2014 17:16

Kështu shprehen njohësit e çështjeve të energjetikës në Prishtinë pas shtyrjes së afatit për dorëzimin e ofertave nga investitorët që bëri Komiteti drejtues i projektit termocentrali “Kosova e re”.

Ethem Çeku, ish-ministër i energjisë në kohën kur ka filluar projekti në vitin 2006, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndryshimet dhe devijimet e shpeshta që i janë bërë projektit të termocentralit e kanë kthyer atë në pikën zero, raporton Radio Evropa e Lirë.

“Që nga viti 2007 sektori i energjetikës në Kosovë ka pësuar degradim total, një projekt i cili ishte para finalizimit e kemi kthyer në pikën zero. Për konceptin tim ky projekt ka dështuar, kjo qeveri dhe komitetit drejtues i këtij  projekti e dështoi projektin e ngufati edhe sektorin ekonomik. Nuk mund të ketë progres ekonomik duke mos pasur për t’i furnizuar me energji elektrike investitorët vendorë dhe ndërkombëtarë”, vlerësoi Çeku.

Termocentrali Kosova e Re është një projekt i cili ka filluar vite më parë dhe është përcjell deri më tani nga katër ministra.

Ky projekt kishe pësuar ndryshime vit pas viti, duke u bërë ndarja e termocentralit Kosova B nga pakoja tenderuese e projektit Kosova e Re.

Sipas kësaj pakoje, termocentrali Kosova e Re do të ketë kapacitet prej 600 megavatësh.

Derisa gati çdo vit ishte paralajmëruar nisja e ndërtimit të tij, ministri i Zhvillimit Ekonomik në largim, Fadil Ismajli, para shtyrjes së aftit për dorëzimin e ofertave nga investitorët, ka premtuar se ky projekt do të fillojë në vitin 2015.

Sidoqoftë, Ethem Çeku konsideron se sikur projekti të ishte zbatuar në vitin 2007, ashtu siç ishte paraparë, Kosova tani do të kishte dy vjet pune më termocentralin e ri.

“Po të fillojmë këtë vit ta ndërtojmë, por që nuk ka gjasa edhe 2 vjet maksimum të fillojë ndërtimi i termocentralit  ‘Kosova e re’, Kosova mund të pret një termocentral të ri diku në vitin 2020. Pra edhe 5 deri 6 vjet Kosova do të paguajë çmim të shtrenjtë për blerjen e energjisë elektrike nga vendet e rajonit. Kjo është kosto e madhe që qytetarët dhe ekonomia do të paguajnë për shkak të gabimeve në konceptin dhe menaxhimin e termocentralit Kosova e Re”, thekson Çeku.

Shoqëria civile në Kosovës vazhdimisht kishte kërkuar që të ndërpritet procesi përgatitor për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Ata konsiderojnë se në Kosovë ekzistojnë alternativa tjera energjetike që sigurojnë energji të mjaftueshme.   

Visar Azemi, koordinator në konsorciumin e shoqërisë civile për zhvillim të qëndrueshëm, KOSID, konsorcium ky që merret me çështjet energjetike, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se qasja ndaj projektit të Termocentralit Kosova e re ka qenë e gabuar.

“Për faktin që ky projekt ka filluar shumë moti dhe tani këtë vit as nuk ka filluar ndonjë hap për ndërtimin e tij, kjo lë të kuptosh se qasja ndaj këtij projekti ka qenë e gabuar. KOSID ka dhënë hapa që duhet të ndërmerren para ndërtimit të termocentralit Kosova e Re , ku kemi thënë që së pari duhet të shikohet efiçienca pastaj t’iu jepet përparësi burimeve të ripërtëritshme dhe në fund të mendohet se sa do të ishte kapaciteti që do të duhej të ndërtohej”, thekson Azemi.

Termocentrali “Kosova e Re” llogaritet të jetë një ndër projektet më të mëdha në vend, ndërsa kostoja për ndërtimin e tij vlerësohet të arrijë 1.5 miliard euro.