Termocentralet kanë nevojë për rinovim të vazhdueshëm

Termocentralet kanë nevojë për rinovim të vazhdueshëm, pavarësisht nëse shpërthimi i djeshëm në Kosova A, ka ndodhur nga ndonjë gabim teknik apo njerëzor, vlerësojnë ekspertët. 

Lajme

07/06/2014 19:51

Besim Islami, ekspert për energjinë sqaron për KosovaPress, se nuk mund të flitet sigurt pa e parë edhe anën teknike përkatëse. 

Sipas tij gabime të tilla ndodhin si në centralet e burimeve termike ashtu edhe në centralet e burimeve të rinovueshme, por sipas Islamit ajo çka duhet pasur parasysh gjithmonë, është se termocentrali ka nevojë të vazhdueshme për rinovim, pasi ka mijëra nyje, dhe sipas tij kujdesi duhet të jetë i njëjtë ashtu sikur për një shtëpi për të cilën duhet të kujdesemi çdo ditë. 

\”Mund të kemi gabime njerëzore qoftë në centralet termike qoftë në centralet e burimeve të rinovueshme. Mund të jetë gabim teknik, mund të jetë impiant i vjetër prej shumë vitesh, që nuk është rehabilituar, por nuk mund të themi me siguri pa e parë këtë gjë. Ai ka nevojë për rinovim, dhe vazhdimisht duhet bëhen rinovime në centralin Kosova A, pra vazhdimisht bëhen rinovime që janë të rëndësishme. Por termocentrali ka mijëra nyje, një nga ato nyje mund të mos jetë rehabilituar,\”, thotë inxhinieri Besim Islami. 

I pyetur në lidhje me projektin energjitik të linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë, inxhinier Islami thotë se ky është projekti më i madh i dy vendeve tona, që do të shmang problemet energjetike shqiptare, duke ulur në minimum nevojën për import. 

\”Në 2001-in deri në 2009-ën, kur është bërë studimi i fizibilitetit unë kam marrë pjesë; është çelësi i zgjidhjes energjetike midis dy vendeve tona. Është projekti më i madhor i dy vendeve tona. Bën të mundur optimizmin e burimeve hidrike që ka Shqipëria dhe burimeve termike që ka Kosova. Pra është çelësi më i rëndësishëm i zgjidhjes së shumë problemeve energjetike shqiptare. Sigurisht që do të kemi nevojë për import energjie por do kemi koston më të vogël për të dyja vendet, kjo është shumë e rëndësishme,\” tha më tej Islami. 

Këto deklarata për KosovaPress Dr.Eng. Besim Islami i bëri gjatë një seminari të organizuar në Tiranë për përdorimin e energjisë së rinovueshme, që shihet sot si e ardhmja e energjisë botërore me më pak kosto dhe mjaft ekologjike. Lidhur me këtë çështje Islami tha se të dyja vendet tona si Kosova dhe Shqipëria janë të përgatitura për përdorimin e energjisë së rinovueshme. 

\”Kosova tashmë ka një kuadër ligjor të përgatitur me Entin Rregullator dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Shqipëria gjithashtu ka një plan kombëtar, ndërsa Kosova tashmë e ka aprovuar planin kombëtar për burimet e rinovueshme, ndërsa Shqipëria ka një plan-draft gati për tu aprovuar, kështu që të dyja vendet janë të përgatitura në këtë drejtim,\” tha Islami. 

Pjesë e këtij takimi ku u fol për eficencën e energjisë ishin edhe ambientalistë të cilët u ndalën në përfitimet mjedisore që sjell përdorimi i energjisë së rinovueshme, duke kërkuar në këtë drejtim edhe mbështetjen e politikës.