Tërmkolli: Blloku të fokusohet në qeveri e jo në postin e kryeparlamentarit

Deputetja e AAK-së, Melihate Tërmkolli, ka thënë se megjithë faktin që mendon se Blloku duhet ta ketë edhe kryeparlamentarin edhe Qeverinë, më shumë duhet të luftojë për këtë të dytën.

Lajme

04/11/2014 23:52

Tërmkolli, në “Interaktiv” të KTV-së, tha se në shumicën e vendeve të botës, ku kanë sistem parlamentar, kryeparlamentari i takon partisë që ka marrë numrin më të madh të votave.

“Kemi një parti që ka fituar, që ka fituar më shumë vota se të tjerat, dhe kemi një grup që ka fituar shumicën parlamentare. Në këtë mes duhet të gjendet zgjidhja më e mirë. Situata nuk është pa zgjidhje. Vetëm duhet seriozitet ose vendosmëri më e madhe dhe zgjidhje ka”, ka tha ajo.

“Ndoshta jam deputetja e vetme në Parlamentin të Kosovës që s’e kam votuar Kushtetutën e Kosovës, siç nuk e kam votuar flamurin. Por, nëse Parlamenti i Kosovës e ka votuar Kushtetutën unë do ta respektoj, nëse ai e ka votuar flamurin unë do ta respektoj…”.

Sipas saj “duhet që hapi i parë të jetë hapja e Parlamentit dhe shkuarja në mbledhje. Duhet të respektohet Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe zgjedhja mund të bëhet. Nuk jam pajtuar disa herë me kolegë të mi që kanë potencuar se partitë që kanë fituar mund të mbesin në opozitë, ndërsa të tjerat e marrin qeverinë. Jam dakord, mirëpo po harrohet një fakt, se në shumicën e vendeve të botës, në vende parlamentare, posti i kryeparlamentarit i takon partisë që ka marrë numrin më të madh të votave”.

“Esenca e krejt kësaj është që të luftohet për Qeveri. Nuk është mirë që të hiqet dorë, mirëpo do të shohim interesat pak më gjerë, sesa një interes”.

“Nëse ka marrëveshje dhe PDK pajtohet që të kemi një kandidat tjetër pa prapavijë, atëherë do të votojmë një tjetër”.

Poenta është në faktin që Blloku duhet ta ketë të qartë dhe e ka që PDK të mos qeverisë më në këtë mandat. Kjo është krejt esenca dhe lufta që duhet të bëhet. Qeverinë duhet ta marrin partitë e Bllokut”, tha Tërmkolli.