Terminal lundrues i gazit për të hequr varësinë nga Rusia

Terminali grandioz lundrues me gaz në gjendje të lëngët, që ka arritur sot në portin Klaipeda në Detin Baltik, do ta reduktojë varësinë e Lituanisë për energji nga Rusia.

Bota

27/10/2014 19:25

Anija “Pavarësia”, me gjatësi sa tri stadiume të futbollit, është pritur nga Garda e Nderit e Lituanisë, raporton REL.

Presidentja Dalia Grybauskaite tha se terminali “është i rëndësishëm për sigurinë energjetike të Lituanisë dhe për gjithë rajonin baltik”.

Ky vend, i cili tërësisht është varur nga Rusia për gazin natyror, do ta përdorë këtë kapacitet për të importuar një sasi të nevojshme të gazit nga Norvegjia për vitin e ardhshëm.

Terminali i mundëson Lituanisë importimin e 4 miliardë metrave kub të gazit për çdo vit, pas vitit 2015.

Në vitin 2013, Lituania kishte blerë 2.7 miliardë metra kub gaz nga Rusia, kështu që sasia e gazit që Lituania do të mund ta importojë lejon që të furnizohen edhe fqinjët baltikë të saj, Letonia ose Estonia, që po ashtu krejtësisht varen nga gazi rus.