Terapia: Pesë minuta dëshpërim, pastaj vazhdojmë tutje

Këta që jemi këtu në Kosovë dhe ata që janë atje në BE, në Bruksel, nuk kemi ç’të bëjmë tjetër pos të mirremi vesh që të mbërrijmë aty ku duhet: Evropa të jetë më pranë Kosovës, ashtuqë Kosova të afrohet më shumë kah Evropa.

Opinion

16/12/2015 14:06

Mund të ndashë pesë minuta për të qarë, për të bërtitur madje, ose edhe për të mallkuar, por pastaj, nuk ka tjetër pos t’i kthehesh punëve të rëndomta, për ta ndreqë atë që të duket që nuk është mirë.

Kjo është këshilla që në të kaluarën diplomatët më të rëndësishëm perëndimorë ia ofronin poltitikanëve shqiptarë të Kosovës, sa herë që këta binin në dëshpërim, për shkak që punët e Kosovës nuk ecnin si duhet në shumë kryeqendra perëndimore. Kjo këshillë që vlenë për vetë ata, kur përballen me probleme që në dukje të parë, i rrëzojnë për toke, në masë të madhe përfillej edhe prej shqiptarëve, të cilët habiteshin se si nuk po qartësohet tablloja e Kosovës, një herë para çlirimit, e më pas, edhe para shpalljes së pavarësisë, në Perëndim, edhe pse për ta dhe për qytetarët e zakonshëm të vendit, gjithka ishte tepër e qartë.

E vërteta e jonë dhe për ne, tek kur bë e vërtetë e Perëndimit, bëri që Kosova të bëhet e lirë dhe të krijohet si shtet. Kaq e thjeshtë, dhe njëherit, kaq e ndërlikuar është puna. Udhëtimi i të vërtetës sonë për në Perëndim zgjatë me vite, në mos edhe me decenie, dhe kushtoi shumë shtrenjtë.

Të vërtetat e këtij lloji nuk barten dot me letra, me SMS-a, apo me e-maila.

Duket që këto ditë, politikanët dhe qytetarët e Kosovës, pasiqë u morën vesh Konkluzionet e fundvitit të Brukselit për këto anë të Evropës, duke përfshirë edhe vendin tonë, kanë mbërritë në stadin kur duhet qarë, bërtitur dhe mallkuar, por jo më gjatë se pesë minutat e një politike, në reagimin e tyre ndaj lajmeve të cilat nuk e mbyllin një temë që është hapur tash e katër vjet, për t’ua dhënë të drejtën qytetarëve të Kosovës që pa viza të udhëtojnë për Evropë.

S’ka fjalë që Kosovës politike dhe Kosovës së qytetarëve të saj, i duhen më shumë se kurrë në vitet e mbrama, lajme të mira nga Brukseli. Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ishte gjithsesi një lajm i këtij lloji, që ka vlerë të veçantë për Kosovën si shtet, por s’do mend që liria e udhëtimit pa viza për qytetarët e Kosovës, do të ishte shenja më domethënëse që më në fund, raportet e këtij vendi me BE-në kanë nisë të marrin trajtën e duhur.

Politikanët, kudo qofshin ata, çfarëdo posti që kanë, aq sa edhe të gjithë kosovarët në përgjithësi, njëmend nuk kanë çka të bëjnë tjetër pos që një herë të shfryhen mirë, në vete dhe ndoshta edhe për të tjerët, e pastaj, t’i përvjelin mëngët dhe të përpiqen që brenda pak muajsh t’i përmbyllin këto detyrat e mbetura për t’i përmbushur të gjitha kriteret për marrjen e liberalizimit të vizave.

Diskursi i ankesave dhe piskamës, zatën, sikur të mbizotëronte në vitet e nëntëdhjeta, nuk do të na sjellte kurrë çlirimin dhe pavarësinë. Atëherë ishte më vështirë, shumë më vështirë se sa që është sot, kur dihet se në çfarë rrethana ne arritëm të ngadhnjejmë mbi Serbinë që ishte njëqind fish më e fortë ushtarakisht.

Natyrisht, është një dallim i madh kur të krahasohen dy situatat: Ajo e atyre viteve, dhe kjo e sotmja. Ata që ishim, kaq sa dishim dhe sa ishim të organizuar, përkundër të gjitha mangësive që i kishim pra, e dinim që nuk bënë të harrojmë se për çka bëhet fjala në të vërtetë, se çka është në pyetje, dhe pse duhet flijuar gjithçka për ta nxjerrë fatin tonë, të Kosovës, prej gjendjes së okupimit të rëndë të Serbisë.

Tash, pakçka ka mbetë nga ajo ndjenjë, nga ajo bindje, nga ajo dije që kishim për veten.

Para një muaji na mbërriti Raporti vjetor i Komisionit Evropian për Kosovën, dhe ai na bëri më pak përshtypje, si politikë dhe si shoqëri, se sa raporti ditor i parashikimit të motit për ditën e nesërme.

Kësaj radhe, me Konkluzat e fundvitit të Bashkimit Evropian për ne, do të jetë më ndryshe, sepse tema e Liberalizimit të vizave, që është vetëm njëra prej shumë çështjeve të ngritura andejpari, ka ndjeshmërinë e madhe në Kosovë.

Sidoqoftë, këta që jemi këtu në Kosovë dhe ata që janë atje në BE, në Bruksel, nuk kemi çka të bëjmë tjetër pos të mirremi vesh që të mbërrijmë aty ku duhet: Evropa të jetë më pranë Kosovës, ashtuqë Kosova të afrohet më shumë kah Evropa.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)