Teoritë konspirative rreth rolit të Sorosit në politikën shqiptare

Teoritë e konspiracionit kanë luajtur një rol jo të vogël në shpjegimin e politikës, si kudo ndoshta edhe në Shqipëri. Ka disa kohë që janë bërë të dendur zërat se Xhorxh Soros ka nisur të marrë në kontroll Partinë Demokratike, nëpërmjet kryetarit Lulzim Basha. Prej vitesh është thënë se biznesmeni apo filantropi (vështirë të ndahet njëra nga tjetra) Xhorxh Soros kontrollon Partinë Socialiste nëpërmjet Edi Ramës.

Opinion

28/03/2016 11:09

Teoria e konspiracionit iu ofron atyre që e besojnë atë bekimin e thjeshtimit dhe gjetjen e objektivit ndaj të cilit drejtohet zemërimi apo edhe urrejtja. Teoritë e konspiracionit ushqejnë përbuzje për faktet dhe mpakin mundësitë për marrëveshje apo kompromis. Ato e ndajnë botën në të mirë dhe të këqij dhe kësisoj nuk lejojnë gjetjen e një terreni të përbashkët. Për shumë studiues të shkencave politike teoritë e konspiracionit shihen si shumë të rrezikshme për demokracinë.

Shembuj teorish konspiracioni ka pafund që nga komploti botëror, te jeta në Mars apo në yje, nga masoneritë tek organizatat sekrete, nga protokollet e fshehta te kontrolli i botës nga UFO-t etj. etj. Xhorxh Soros ka themeluar në çdo vend të Europës Lindore, në disa vende të Afrikës dhe Azisë, fondacione që i quan të shoqërisë së hapur. Këto fondacione në letër synojnë të mbështesin grupe të shoqërisë civile në mënyrë që të çohen përpara demokracia, drejtësia, media, arsimi etj. Edhe në Shqipëri është ngritur një fondacion i tillë që në vitet 1990.

Ideja e fondacionit për një shoqëri të hapur vjen nga pikëpamjet e fuqishme të një prej filozofëve më të njohur të shekullit të kaluar, Karl Popper. Në librin e tij “Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj” Karl Popper kritikon me forcë teoritë historiciste (sipas të cilave historia njerëzore ecën pashmangshëm sipas ligjeve universale), të cilat sipas tij kanë çuar në lindjen e disa prej totalitarizmave më të egra të historisë së njerëzimit. Popper mbron demokracinë si të vetmin regjim që mundëson përmirësimin e një gjendjeje apo të institucioneve pa dhunë dhe gjakderdhje.

Libri i tij është një manifest kundër totalitarizmit. Popper nuk besonte verbërisht te tregjet e lira dhe bënte thirrje për një “shoqëri të hapur”. Ai e përkufizoi atë si “një liberal demokraci, në të cilën individët janë të lirë të marrin vendime ndryshe nga sa ata bëjnë në një shoqëri triale apo kolektiviste”. Shkolla e Popperit solli disa nga mendimtarët më të njohur të ideve të lirisë së Ludvig von Misses apo Friudrih Hayek.

Xhorxh Soros ka qenë pas Luftës së Dytë Botërore student i Popperit. Ai thotë se aktivitetin e tij e mbështet mbi idetë e Popperit. Në fakt, këtu është pikërisht problemi: Te fakti që Soros i shtrembëroi ato ide dhe i përdori krejt ndryshe. Joe Firestone dhe Kristofer Ruddy, dy filozofë bashkëkohorë, thonë se Soros pavarësisht se shprehet se ndjek idetë e Popperit, në fakt u ka dalë krejt kundër atyre me aktivitetet, botimet, librat e tij, fondacionet dhe financimet që bën. Sipas tyre, ai është kundër Popper në gjithë konceptet kyçe të tij: gabueshmëria, parimi i pasigurisë njerëzore, uniteti i metodës, ndjekja e të vërtetës, gjendja e ekuilibrit etj.

Soros e ka thënë edhe vetë se është një progresist liberal (krejt kundërt asaj që ishte Popper dhe sidomos edhe kundër ideve të Hayek apo Von Misses).

Në Tiranë, si kudo, fondacioni Soros ka mbrojtur pikërisht këto ide progresiste të majta. Ai grupoi njerëz që kishin këto bindje, botoi libra që mbronin këto ide dhe financoi promovimin e këtyre tezave. Është pikërisht këtu kritika që duhet t’i bëjnë Sorosit kundërshtarët. Ai duhet të kritikohet për idetë që promovon fondacioni i tij dhe jo të shkohet në teori konspiracioni se ai kontrollon PS dhe PD-në.

Fondacioni për shoqëri të hapur ka qenë promovuesi më  madh i ideve të feminizmit, të homoseksualitetit, të lirive seksuale, të një shteti të madh që përvijon kulturën kombëtare dhe që formëson deri edhe ndërgjegjen e njerëzve etj.

Nga fondacioni Soros janë botuar me dhjetëra tekste të sociologjisë, psikologjisë, antropologjisë, psikanalizës etj., që janë nga më përfaqësueset në luftën kulturore që bëhet kudo në botë. Lufta kulturore është një togfjalësh që ka nisur të përdoret intensivisht nga studiues të shumtë në perëndim për të përshkruar debatin apo konfliktin e madh mes vlerave që mbroheshin nga tradicionalistët apo konservatorët dhe vlerave që mbrohen nga progresistët, liberalët dhe majtistët e komunistët.

Fred Hutchinson, një filozof amerikan, thotë se armatën që sulmon, që përkufizon termat dhe që dominon këtë luftë e përbëjnë forca që kundërshtojnë idenë e një ligji moral universal. Një zë i fortë në këtë bashkësi, janë përkrahësit e revolucionit seksual përfshirë homoseksualitetin, feminizmin, normalizimin e lirisë seksuale apo shthurjes dhe ata pro abortit.

Në këtë bashkësi, një peshë shumë të madhe kanë edhe mbrojtësit e relativizmit kulturor. Këta kundërshtojnë idetë e të vërtetës, bukurisë dhe cilësive të natyrshme në vetvete. Gjithë kjo lëvizje kërkon të zhbëjë trashëgiminë kulturore dhe spirituale dhe zëvendësojë atë me një cekëtinë kulturore, ku thelbi janë imazhi dhe shfaqja.

Fondacioni Soros në Tiranë mblodhi pikërisht njerëz që mbrojnë këto ide ose të paktën thonë se i mbrojnë këto ide. Një pjesë e madhe e drejtuesve të Partisë Socialiste dhe të qeverisë sot vijnë nga fondacioni Soros dhe njihen si mbrojtës të këtyre ideve.

Për shembull aty, dihet publikisht, ka njerëz që besojnë se nuk ekziston burri apo gruaja, se fëmija që lind mashkull mund të zgjedhë të jetë grua apo anasjelltas, se seksualiteti njerëzor është shumëformësh dhe se duhen promovuar si të drejta të gjitha këto forma. Pra shoqëria e hapur e Karl Popperit ka degjeneruar në këtë gjendje.

Mendimet se kemi një komplot Sorosian janë budallallëqe. Xhorxh Soros ka zgjedhur ta shohë botën nëpërmjet një pikëpamjeje të tillë dhe duke qenë një aktivist shumë i pasur ndërkombëtar, përpiqet t’i përhapë dhe jetësojë pikëpamjet e tij, të cilat duhet thënë janë shkatërrimtare për shoqërinë. Për këtë arsye, duhet të kritikohet Soros dhe jo me konspiracione.

Nuk mund të dalësh kundër Sorosit dhe të jesh promovues i Big Brotherit, politikan që gjithë ditën bën selfie, që njihet si mbrojtës i  thekshëm i ideve të revolucionit seksual, që jeton mbi këto parime, që sulmon fenë gjithkund,që përdor gjuhën qesharake të revolucionit seksual me metafora, të tilla si: rrëzim tabush, emancipim i gruas, të bëjmë 50% të grave deputete, të marrin leje lindjeje burrat etj. etj.

Të gjithë ata që thonë se Soros ka nën kontroll PS-në duhet të pranojnë se e majta progresiste shkon te këto ide sado radikale të jenë dhe Soros ia ka dalë të ketë në krye të saj njerëz që mbrojnë këto ide. Ky nuk është konspiracion, është fakt.

Të gjithë ata që thonë se Soros mori në kontroll PD nëpërmjet Bashës, duhet të shohin nëse idetë e Sorosit po jetësohen aty, në të kundërt duhet të gjejnë një mënyrë tjetër të shprehin pakënaqësitë personale (përderisa nuk janë ideore) ndaj Bashës. Konspiracioni është mbithjeshtim për të gjetur objektin e inatit por edhe paaftësi për të menduar. /Marrë nga gazeta Mapo