Teoria e Lirisë, sipas Lutës

Lutfi Haziri vazhdon të qëndrojë kategorik në qëndrimin e tij për nxënëset me shami në shkollat e Gjilanit. Mendon se kjo nuk bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës. Thotë se nuk e ka për fushatë, por për të respektuar të drejtat dhe liritë.

Lajme

09/11/2013 18:00

Lutfi Haziri nuk e ka ndërmend të lëshojë pe.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Kryetar të Gjilanit vazhdon t’i qëndrojë mbrapa premtimit të tij se do të lejojë bartjen e shamisë nëpër shkolla të kësaj Komune, sepse, sipas tij, kështu ai vetëm po e respekton atë që parasheh Kushtetuta, garantimin e lirive dhe të drejtave.

Ditë më parë, ai tha se do t’i lejojë nxënëset në Gjilan që të bartin shami në shkollat fillore dhe të mesme, nëse ai bëhet Kryetar i Komunës në balotazhin e 1 dhjetorit.

Në raundin e parë të zgjedhjeve, Haziri i LDK’së rezultoi më i votuari dhe siguroi balotazhin bashkë me rivalin e tij nga PDK, Qemajl Mustafa, me një dallim prej rreth 7 mijë votash.

Në një prononcim për lajmi.net, Haziri thotë se një propozim i tillë nuk shkel Kushtetutën e Kosovës “e cila përcakton vendin si një shtet laik”.

Ai foli për për bartjen e shamisë në shkollat e Gjilanit menjëherë pas raundit të parë të zgjedhjeve të 3 nëntorit dhe kur pret garën e balotazhit, por mohon kategorikisht që një gjë e tillë është bërë për qëllime elektorale.

Sipas tij, Kushtetuta e Republikës së Kosovës obligon shkollimin fillor dhe të mesëm të fëmijëve.

“Kosova është një shtet laik. Po ashtu nuk lejon diskriminim dhe ku obligohet fëmija të shkojë në shkollë”.

“Për mua si deputet sot, dhe nesër si Kryetar i Komunës, vlen Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Për mua vlen Kushtetuta, dhe kjo absolutisht nuk ka të bëjë me premtim elektoral”.

Haziri vazhdon ta promovojë idenë e tij, sado që një ditë më parë Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, u shpreh se nuk i përket organeve komunale të vendosin në çështjen e bartjes apo jo të shamisë në shkolla.

Sipas Hazirit, bartja e shamisë nuk bën shkelje të Kushtetutës.

“Në asnjë mënyrë unë nuk jam duke e shkelur Kushtetutën. Ajo garanton mosdiskriminim, ku shkollimi fillor është i obligueshëm për të gjithë”.

Haziri thotë se nisma e tij për të mos lejuar diskriminim përkrahet nga LDK. Por, ai nuk e thotë decidivisht se LDK përkrah shaminë në shkolla. Preferon të thotë se LDK respekton Kushtetutën.

“LDK është institucionaliste dhe kosntitucionaliste, të gjithë në LDK janë njerëz që përkrahin shtetin”.

Ai pretendon se mediat po mundohen që ta keqinterpretojnë idenë e tij në realizimin e këtij qëllimi. Sipas Hazirit, me veprime të tilla po tentohet që të diskriminohet shumica e besimit islam.

“Askush nuk mund të na ndalë, as portali juaj e asnjë gazetë a medium. Qëllimi që ta keqinterpretosh një gjë të tillë, është qëllimkeq dhe diskriminues. Nuk duhet që atë numër të vogël të njerëzve (që bartin shamia) ta lëndojmë, përkundrazi, duhet ta mbrojmë”.

“Secili e ka besimin e vet të garantuar, Kushtetuta nuk lejon diskriminim, qoftë Kisha Katolike, Kisha Ortodokse Serbe, Teqetë ose edhe Xhamitë, të gjitha këto e kanë të garantuar besimin e vet. Por, në të njëjtën kohë garanton edhe edukim të barabartë dhe nuk lejon diskriminim për shkak të bindjes fetare. Nuk mund që shumica e shqiptarëve që i takojnë besimit islam të diskriminohen për shkak të bindjes fetare”.

Ai tha se do të vazhdojë ta ngrisë këtë çështje edhe në Kuvendin e Kosovës, siç ka bërë edhe më parë.

“Unë këtë çështje e kam ngritur edhe në Parlament para një viti dhe do të vazhdoj ta bëj këtë”, thotë Lutfi Haziri për lajmi.net.