Tentoi ta vriste presidentin Obama, merr 25 vjet burgim

Një amerikan nga Idaho, që ishte përpjekur të vriste presidentin Barack Obama, duke qëlluar drejt Shtëpisë së Bardhë, është dënuar me 25 vjet burgim. Ai kishte thënë se presidenti amerikan ishte “anti-Krisht”.

Bota

01/04/2014 09:46

Oscar Ortega-Hernandez, 23 vjeç, doli para gjykatës federale duke pranuar fajësinë për akuzat e terrorizmit dhe armëmbajtjes pa leje. Ai fajësohej fillimisht për 17 vepra penale.

Prokurorët e çështjes e akuzuan Ortega-Hernandezin për të shtënat me një armë luftarake të prodhimit rumun jashtë nga xhami i makinës së tij, mbrëmjen e 11 Nëntorit 2011, raporton Top Channel.

Pasi ia arriti të lëshonte disa plumba drejt Shtëpisë së Bardhë, ai shtoi shpejtësinë e mjetit drejt një ure që të çonte në periferitë e Virxhinias, por përplasi makinën e tij dhe u arratis në këmbë, thanë zyrtarët.

Qeveria tha se gjurmët e gishtave të Ortega-Hernandez u gjetën në një revistë municionesh të lënë në një mjet tip Honda të vitit 1998, por jo në armën me të cilën u qëllua, e cila mbeti gjithashtu në mjetin e përplasur.

As presidenti dhe as familja e tij nuk gjendeshin në shtëpi në momentin e incidentit.

Ortega-Hernandez u kap në një motel të Pensilvanisë, 5 ditë pas incidentit.

Në dokumentet e gjyqit, prokurorët argumentuan se Ortega-Hernandez ishte i rrezikshëm dhe se kishte planifikuar krimin për të cilin akuzohet përgjatë një periudhe disa-mujore.

Sipas FBI-së, miqtë e Ortega-Hernandez raportuan se ai kishte bërë deklarata anti-qeveritare në fillim të vitit 2010.

Ndër të tjera, ai kishte thënë se presidenti amerikan ishte “anti-Krisht” dhe u kishte komunikuar miqve se kishte marrë “një mision nga Zoti për të eliminuar presidentin Obama”.