Tentoi ta therte gruan, arrestohet kosovari 74 vjeçar në SHBA

Një burrë nga Kosova, që po vizitonte të bijën e tij në SHBA bashkë me bashkëshorten e tij, është arrestuar nën akuzën e tentim-vrasjes në West Hartford.

Lajme

12/01/2015 23:30

Sipas policisë së West Hartford, ai u arrestua pasi kishte tentuar disa herë ta therte me thikë bashkëshorten e tij pas një debati të ashpër mes tyre.

Policia ka arrestuar shtetasin e Kosovës, Bajram Skenderi, 74 vjeç, i cili, sipas policisë, disa herë kishte tentuar ta therte me thikë bashkëshorten për shkak të një argumenti që pati lidhur me mënyrën se si i kishin rritur fëmijët e tyre.

Viktima, siç raporton Koha.net, ia kishte dalë të vetëmbrohej derisa dhëndri i saj kishte dëgjuar britmat, ia kishte marrë thikën dhe e kishte neutralizuar të dyshuarin.

Gruaja ka marrë “plagë nga thika gjatë vetëmbrojtjes” në duar dhe më vonë është transportuar në spitalin Hartford, pasi kishte dhembje edhe në gjoks.

I dyshuari u dërgua në një spital lokal pasi pësoi një të çarë në kokë, si pasojë e përplasjes për muri. Pas lirimit, ai do të përballet me akuzat për tentim vrasje, sulm të shkallës së tretë e akuza të tjera.