Tentohet t’i vihet flaka QKMF-së në veri të Mitrovicës

Dje në orët e hershme të mëngjesit janë thyer xhamat e Qendrës së Mjekësisë Familjare në lagjen “ Kodra e Minatorëve “, në veri të Mitrovicës.

Lajme

19/03/2018 17:46

Zëdhënësja e Komunës së Mitrovicës Blerina Kastrati tha për KALLXO se fillimisht janë thyer xhamat dhe më pas është tentuar t’i vihet flaka gjithë objektit, ku shërbime u ofrohen qytetarëve shqiptarë dhe atyre serbë të qytetit.

Zëdhënësja theksoi se përveç dëmeve materiale të lënduar nuk ka pasur nga ky incident.

Sulmi është kryer pak kohë pasi që kjo qendër është furnizuar nga Drejtoria e Shendetësisë me barna dhe elemente të tjera esenciale.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, e ka dënuar ashpër këtë incident.

Ai kërkoi nga qytetarët që të ruajnë qetësinë dhe njëkohësisht u ka bërë thirrje organeve përgjegjëse që sa më shpejt t’i identifikojnë dhe dënojnë kryesit e këtyre veprave.

“Raste të tilla janë të papranueshme, pavarësisht se cilit nacionalitet i takojnë, andaj lus edhe kryetarin e Veriut të Mitrovicës z. Goran Rakiq, që të dënojë këtë rast sepse ngjarje të tilla e rëndojnë jetën e qytetarëve në veri “, ka thënë Bahtiri përmes një komunikate.

Ndërsa zëvendësdrejtori i Policisë në Veri, Besim Hoti, tha për KALLXO që ende nuk ka ndonjë të arrestuar dhe se rasti është nën hetime.

“Rasti është nën hetime… Nuk kemi persona të arrestuar në lidhje me sulmin por rasti është nën hetime“, tha Hoti.

Kjo është hera e tretë që sulmohet kjo qendër.

“Kjo qendër dy-tri vitet e fundit është sulmuar të paktën dy-tre herë ndërsa në kohën e sulmit nuk ka qenë askush në objekt dhe nuk ka pasur sigurim prandaj edhe me lehtësi është arritur kjo vepër. Ndërsa sa i përket rasteve më herët rrethanat në të cilat është sulmuar kjo qendër nuk kanë qenë asnjëherë të njëjta dhe se nuk është arrestuar askush“, tha Hoti.