Kushtetuesja prapë pengesë për zgjedhjen e Kryeprokurorit?

Rrëzimi eventual i zgjedhjes së Aleksandër Lumezit për Kryeprokuror të Shtetit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, do dëmtonte rëndë sistemin e drejtësisë në vend, sidomos në kohën kur po pritet themelimi i Gjykatës Speciale. Gjithashtu do t’i hapej rrugë grupeve të interesit, që në procesin e ri zgjedhor i cili për shkak të procedurave do të stërzgjatej, të shtynin njerëzit e tyre, drejtë institucionit të Kryeprokurorit.

Lajme

28/02/2015 20:33

Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka zgjedhur Aleksandër Lumezin për Kryeprokuror të Shtetit të Kosovës, por vendimi mund të rrëzohet sërish nga Gjykata Kushtetuese, sikurse herën e parë vitin e kaluar, nëse vërtetohet se nuk janë respektuar rregullat gjatë kohës deri te zgjedhja e tij.

Lumezi ishte zgjedhur kryeprokuror edhe vitin e kaluar, por vendimi ishte rrëzuar pas ankesës në Kushtetuese nga kundërkandidatët, lidhur me ndjekjen e procedurave. Për një kohë të gjatë institucioni i Kryeprokurorit është duke u udhëhequr me ushtrues detyre, në këtë rast nga Sylë Hoxha.

1

Nëse eventualisht Gjykata Kushtetuese vendos që të rrëzoj edhe kësaj here zgjedhjen e Lumezit, atëherë kjo do të ishte një sfidë e madhe për gjyqësorin e vendit, sidomos në këtë kohë, kur pritet themelimi i Gjykatës Speciale.

Institucioni i Kryeprokurorit të Shtetit do të vazhdonte të drejtohej edhe për rreth 9 muajt e ardhshëm me ushtrues detyre. Kurse procesi në vazhdim do t’u hapte rrugë ndikimeve nga grupe të interesit të cilët do të mund të shtynin kandidatët e tyre.

Lidhur me zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit kanë reaguar ambasadat e shteteve të Qunit-it në Kosovë dhe EULEX-it, duke kërkuar që të vazhdohet tutje, që procesi të mos mbetet mbrapa, duke e parë si të dëmshme nëse kjo do të ndodhte.

Pika kontestuese ku Gjykata Kushtetuese mund të vendos për ta rrëzuar Lumezin është mos verifikimi i kandidatëve nga AKI-ja.

Kjo pikë ishte evituar nga Këshilli Prokurorial, me qëllimin që të shmanget shtyrja e procesit të zgjedhjes së Kryeprokurorit, pasi verifikimi i kandidatëve nga AKI do të merrte rreth nëntë muaj kohë. Nëse Kushtetuesja vlerëson se nuk ka shkelje të procedurave deri te zgjedhja e Lumezit për Kryeprokuror të Shtetit, atëherë ai do të dekretohet nga presidentja Atifete Jahjaga, për të marrë drejtimin e njërit nga institucionet më të larta të drejtësisë në vend. (lajmi.net)