Tensioni i lartë i gjakut, ja gjithçka çka duhet të dini

Mbi 1.5 miliardë njerëz vuajnë nga presioni i lartë arterial (ose hipertensioni) në të gjithë botën dhe rreth 7 milionë prej tyre vdesin çdo vit për shkak të presionit të lartë arterial.

Lifestyle

22/01/2016 20:41

Ky është bilanci i bërë publik nga OBSH-ja (Organizata Botërore e Shëndetësisë). Hipertensioni është një ndër faktorët kryesor që lidhet më sëmundjet e zemrës, infarktin, sëmundjet e veshkave dhe diabetin. Rreth 50% të sëmurëve me hipertension nuk kanë ankesa ose simptoma paralajmëruese dhe e kuptojnë sëmundjen kur ajo ndodh, për shembull kur pësojnë infarkt në zemër.

Në moshat 60-vjeçare, 2 në 3 persona vuajnë nga hipertensioni. Po çfarë është hipertensioni? Nga se shkaktohet dhe cila është mënyra për ta mbajtur nën kontroll? Mjeku kardiolog

Muhamed Kondi pohon se hipertensioni është një sëmundje “dhelpërake”, pra, një sëmundje që shfaqet papritur dhe komplikacionet që sjell në organizëm janë të mëdha. Sipas mjekut kardiolog, “shenja e kësaj sëmundje është që nuk shfaq asnjë shenjë”, ndaj ai u bën apel moshave mbi 40 vjeç që të kryejnë rregullisht kontrolle të paktën 1 herë në 6 muaj.

Çfarë është hipertensioni?
Hipertensioni  njihet gjerësisht si presioni i lartë i gjakut. Hipertensioni nuk është gjë tjetër, veçse humbja e aftësive që kanë enët e gjakut për t’u tkurrur dhe relaksuar atëherë kur duhet. Hipertensioni quhet ndryshe edhe “vrasës i fshehtë”, sepse mekanizmi i sipërpërmendur prishet për shkaqe të paditura. Ena e gjakut bëhet shumë “kokëfortë” dhe në momentin kur duhet të lirohet, nuk e bën këtë gjë duke mbetur gjatë gjithë kohës  e takuar. Sëmundja përkeqësohet gradualisht dhe kjo shtrihet në një hark të gjatë kohor, ndaj shpeshherë individët e kanë të vështirë të kuptojnë dhe më pas t’i drejtohen mjekut. Hipertensioni mund ta kategorizojmë në dy lloje: në hipertension kryesor dhe dytësor.

Hipertensioni kryesor. Ky lloj hipertensioni përfshin rreth 90% të rasteve që vuajnë apo preken nga hipertensioni. Shkaktarët e tij nuk dihen, por mendohen të jenë një sërë faktorësh, si: trashëgimia, mbipesha, kequshqyerja, mungesa e aktivitetit sportiv etj.

Hipertensioni dytësor. Quhet hipertension dytësor sepse në të tilla raste hipertensioni vjen si rezultat i një problemi tjetër që individi ka në organizëm, siç mund të jenë problemet në veshka,  ngushtim i aortës etj.

Pse prishet ekuilibri i enëve të gjakut?
Mendohet që janë një sërë faktorësh që çojnë në prishjen e ekuilibrit të enëve të gjakut. Një ndër faktorët që ka një peshë të madhe, është pa dyshim stresi. Niveli i lartë i hormoneve të stresit në organizëm i mban gjithmonë të tërhequra enët i gjakut dhe për pasojë ky mekanizëm, kur vjen momenti që duhet të lirohet, s’e bën këtë gjë sepse është faktori stres në mes.

Një tjetër faktor që ndikon në hipertension është edhe karakteri ose tipi i njeriut. Personat që e përjetojnë më së shumti stresin, janë shumë herë më të riskuar ndaj hipertensionit. Një faktor shumë i rëndësishëm është abuzimi me kripën. Madje, do të theksoja që është një ndër shkaktarët kryesor të hipertensionit.

Popuj që janë të mësuar të mos e përdorin kripën, siç mund të jenë për shembull disa zona në Japoni, nuk vuajnë fare nga hipertensioni, pothuajse nuk e njohin fare si sëmundje. Kripa është një nga elementet bazë jo vetëm për trupin e njeriut, po për çdo gjallesë, por nuk duhet të abuzohet me të. Nuk është thjesht kripa që është e dëmshme, por është abuzimi me të.

Pse dhe si ndikon kripa në rritjen e tensionit?
Kripa thith ujin në organizëm. Duke thithur ujin, nëpër enët e gjakut qarkullon më tepër seç duhet ujë. Po të shikosh njerëzit që abuzojnë me kripën, janë si të fryrë dhe indirekt del problemi i ujit të tepërt, gjë që sjell rritje të  presionit në gjak. Gjithashtu, edhe sëmundjet e veshkave janë një ndër shkaktarët e rritjes së tensionit.

Cilat grupmosha janë më të riskuara ndaj hipertensionit?
Mbi moshën 40-vjeçare fillojnë dhe shfaqen problemet me hipertensionin. Burrat janë ata që janë më të ekspozuar ndaj hipertensionit dhe kjo lidhet kryesisht me mosmbajtjen e një regjimi të mirë gjatë ushqyerjes. Ajo çka i ekspozon me tepër meshkujt, është abuzimi në tërësi me mënyrën e jetesës. Ndërsa përsa i përket femrave, duhet thënë se hipertensioni fillon e ndihet mbi 50 vjeç edhe për arsye të çrregullimeve hormonale në organizëm.

Si mund ta mbajmë nën kontroll hipertensionin?
Duke u nisur nga shkaqet që çojnë në hipertension, menjëherë dalin dhe parimet e mjekimit. Tepër e rëndësishme për individët që vuajnë nga hipertensioni, në radhë të parë janë mjekimet kundra abuzimit me kripën (shkarkueset), sepse siç e theksova edhe më lart, kripa është armiku numër një që sjell hipertension.  Terapia kundër stresit gjithashtu zë një peshë të rëndësishme, pasi dihet se stresi është një ndër shkaqet kryesore, jo vetëm të hipertensionit në këtë rast, por edhe të shumë patologjive apo problemeve që lindin në organizëm.

Mjekimi kundër abuzimit me yndyrat. Por ajo çka duhet të kenë parasysh mbi të gjitha individët që vuajnë nga hipertensioni, është ushtrimi i aktiviteteve sportive, qofshin këto ecje në natyrë, sport, vrap apo edhe forma të tjera të ngjashme. Pasi sporti është ai ingranazh që ingranazhe të ndryshme i rregullon vetvetiu duke vendosur një balancë në organizëm. Pra, e thënë ndryshe, është një luftë kundër të gjithë faktorëve të lartpërmendur.

Si mund ta kuptojmë që jemi prekur nga hipertensioni?
Nuk mund ta kuptosh, në fakt. Ajo çka individët duhet të bëjnë, është t’i nënshtrohen kontrollit të herëpashershëm. Mbi moshën 40 apo 50 vjeç individët duhet të drejtohen pranë shërbimeve shëndetësore për ta matur minimalisht tensionin një herë në gjashtë muaj ose dy herë në vit.

Në rast se shihet si domosdoshmëri nga ana e mjekëve, i nënshtrohen analizave më të detajuara, si për fundësin e syrit, observimi i enëve të gjakut, eko zemre, shihen veshkat etj. Pra, bëhet një kontroll i përgjithshëm dhe një matje 2-javore, 2 herë në ditë dhe mbahet një grafik nga ku del një mesatare.

Tensioni normal është 12-8 për meshkujt dhe 11-7 për femrat. Por duke iu referuar intensitetit të jetës OBSH-ja ( Organizata Botërore e Shëndetësisë) ka pranuar si opsion të përshtatshëm edhe 14 tek meshkujt. Në rast se e kalon normën mbi 14, atëherë patjetër që duhet t’i drejtohen mjekut kardiolog.

Cilat janë komplikacionet që mund të sjellë hipertensioni në organizëm?
Komplikacionet që lidhen më këtë sëmundje janë tepër të rënda. Më të shpeshtat janë sëmundjet e trurit, aksidentet vaskulare, hemorragjitë cerebrale, sjell dëmtim të zemrës (infarkt), dëmtim të veshkave dhe duke i dëmtuar këto të fundit krijohet një rreth vicioz dhe fillojnë preken dalëngadalë të gjitha organet.

Cilat janë periudhat më problematike për ata që vuajnë tashmë nga hipertensioni?
Stina në të cilën ndodhemi, është disi e qetë për individët që vuajnë nga hipertensioni. Pa diskutim më problematikja mbetet stina e verës dhe kjo lidhet me rritjen e lartë të temperaturave. Temperaturat e larta i “lodhin” disi këto mekanizmat në organizëm, dhe për rrjedhojë shfaqen dhe problemet e lidhura me hipertensionin.

Disa këshilla për personat që vuajnë nga hipertensioni
Kujdesi në radhë të parë me kripën. Këta individë absolutisht duhet të heqin dorë nga kripa që merret në mënyrë bruto dhe ta marrin atë nëpërmjet ushqimeve që janë ta pasura me natrium;

Të heqin dorë nga alkooli, i cili sjell rritje të tensionit;

Të heqin dorë nga duhani, pra të ndryshojnë rrënjësisht  stilin apo mënyrën e jetesës;

Ndryshimi i stilit të jetesës është shumë i rëndësishëm edhe nuk është e lehtë ta bësh një gjë të tillë, por kjo është thelbësore për shëndetin e tyre.

Presioni arterial i shëndetshëm, me një peshë të shëndetshme

Pse duhet të kujdesem për hipertensionin?
Rreth 7 milionë njerëz vdesin çdo vit në të gjithë botën për shkak të presionit të lartë arterial.

Ç’lidhje ka pesha ime me hipertensionin?

Të qenët mbi peshë mund të çojë në hipertension, i cili më pas mund të çojë në infarkt, insufiçencë kardiake, aneurizëm, diabet të tipit 2, forma të ndryshme të kancerit dhe insufiçencë renale – sëmundje këto që mund të jenë të gjitha fatale. Kështu, nëse i kushtoni vëmendje peshës suaj, kjo mund t’ju ndihmojë të keni një shëndet më të mirë në përgjithësi.

Pesha e botës
Të qenët mbi peshë është një shqetësim i ditës në të gjithë botën. Mbi 1 miliard të rritur në të gjithë botën janë mbi peshë, nga të cilët rreth 300 milionë janë obezë.

Si mund ta kuptoni nëse jeni mbipeshë?
Dy mënyra të mira për të kontrolluar peshën tuaj janë matja rregullisht e perimetrit të belit tuaj dhe matja e “indeksit të masës trupore”. Perimetri i shëndetshëm i rekomanduar i belit për meshkujt e rritur është më pak se 95cm dhe për femrat e rritura është më pak se 95cm.