Tensionet PS-LSI arrijnë kulmin, shkarkohet zv/ministri i LSI-së

Kur mbeten pak më shumë se 24 orë nga mbyllja e fushatës, tensionet mes PS dhe LSI kanë arritur majat. Pas një sërë akuzash e kundërakuzesh në drejtim të Saimir Tahirit, Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar zv.ministrin e Brendshëm, Ilir Marko, me motivacionin se ka shkelur etikën zyrtare të komunikimit publik.

Lajme

22/06/2017 20:27

I gjithë debati, që çoi deri në shkarkimin e zv.ministrit të LSI-së, nisi nga një deklaratë e kandidates për deputete të LSI, Eriona Bixha, e cila akuzoi Saimir Tahirin si të përfshirë në blerjen e votave në Vorë.

“Dua publikisht të denoncoj drejtuesin e shit-blerjes së votave në Bashkinë e Vorës, shtetasin Agim Kajmaku, i cili e ka shndërruar makinën e tij në një bankë, ku në bashkëpunim të plotë me komisariatin e Bashkisë Vorë dhe me përkrahjen e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri çdo natë organizojnë skemën e shpërndarjes së parave shtëpi më shtëpi”, ka thënë Bixha.

Por Tahiri zgjodhi që me anë të një postimi në Facebook t’i përgjigjej Ilir Metës, e jo Bixhës.

“Më dëgjo me vëmendje Ilir Meta! U bë një kohë e gjatë që më bie në qafë duke hedhur baltë mbi mua dhe t’a kam thënë në sy kur kishim ende komunikim bashkë se je gabim! Po ti nuk pushove një sekondë në luftën tënde të verbër me mua. Më vure pas një hafije tënden si zv.ministër që arriti deri në çmendurinë e tentativës për të përgjuar zyrën time!  Ke javë të tëra që sa ti, sa gruaja jote, sa kryeshërbëtori yt, sa luanët e kotelet e kazanit tënd politik, merreni me mua duke sajuar lloj-lloj idiotësish, për gjoja presione policore e blerje votash!  Se kush është tregtari më i madh i blerjes së votave dhe i vendeve të punës në Shqipëri, këtë e di i madh e i vogël!  Vazhdo nxirri kotelet e tua në ballin e kazanit tënd politik, po përgatitu mirë shpirtërisht, që të mos bëhesh për një muaj masazh koke, pas numërimit të votave të Qarkut Tiranë”, shkruan ndër të tjera Saimir Tahiri.

I menjëhershëm ishte dhe reagimi nga LSI, por këtë herë nga Monika Kryemadhi, e cila po në Facebook ka postuar një këngë, të cilën ja dedikonte Saimir Tahirit.

Por ajo që solli dhe shkarkimin e Ilir Markos ishte një SMS drejtuar Saimir Tahirit, ku i kujtonte se nuk ishte ai që e kishte përgjuar, por partnerët ndërkombëtar, të cilët sipas Markos, pasi u binden për bëmat e Tahirit, rekomanduan shkarkimin.