Tensionet me Ankaranë, Merkel kërkon mirëkuptimin e turqëve

Kancelarja gjermane Angela Merkel kërkoi mirëkuptimin e shtetasve gjermanë me origjinë turke për krizën në marrëdhëniet mes Berlinit dhe Ankarasë.

Bota

30/08/2017 08:50

“Unë do të dëshiroja raporte më të mira me Turqinë, por duhet të shohim realitetin”, deklaroi ajo në konferencën e parë për shtyp pas pushimeve të verës.

Merkel përdori termin “fazë shumë e komplikuar” për të ilustruar raportet mes dy vendeve, por tha se kursi i ri i qëndrimeve ndaj Turqisë lindi si domosdoshmëri pas veprimeve të Ankarasë.

“Riorentimi i raporteve me Turqinë ishte i domosdoshëm për shkak të arrestimit të shtetasve gjermanë”, u shpreh Merkel.

Nëse do të ketë një shkrirje të shpejtë të tensioneve, kancelarja gjermane la të kuptohej se kjo nuk është në dorë të Gjermanisë, transmeton tch.

“Përmirësimi i raporteve varet nga respektimi i rregullave të shtetit të së drejtës. Në këtë moment kjo nuk po ndodh në Turqi dhe veç kësaj është edhe kërkesa e qartë që gjermanët e arrestuar për shkaqe politike të lirohen menjëherë”, shtoi Merkal.

Nga të dhënat e Ministrisë së Jashtme gjermane, nën masa arresti në Turqi mbahen 10 shtetas gjermanë, ndër ta edhe gazetarët Deniz Yucel dhe Mesale Tolu, si dhe aktivisti i të drejtave të njeriut, Peter Steudtner.