Tensione në Ukrainë, tani të nxitura nga Putini

Pak ditë pas rrëzimit të Yanukovych’it, Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi stërvitje ushtarake ruse pranë kufirit me Ukrainën. Kjo nxiti protesta dhe rrahje mes grupeve në rajonin e Krimesë, me shumicë ruse.

Bota

26/02/2014 17:18

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i ka vënë trupat e tij ushtarake në gjendje të lartë alarmi për stërvitje  luftarake afër kufirit me Ukrainën të mërkurën.

Kjo paraqet gjestin më të fuqishëm të Kremlinit disa ditë pasi aleati i tij në Kiev, Viktor Yanukovych, u përzu nga pushteti pas protestave të përgjakshme që kishin kapluar Ukrainën për javë të tëra.

Mijëra rusë etnikë të cilët përbëjnë shumicën në rajonin ukrainas të Krimesë, demonstruan për pavarësinë e gadishullit. Ata u përleshën me demonstruesit rivalë, shumica nga pakica tatare, të cilët mbështesin autoritetet e reja në Ukrainë.

 

Një grup protestuesish bartte flamuj të Ukrainës dhe brohoriste “Krime nuk është Rusi”, përderisa grupi tjetër mbante flamuj të Rusisë dhe brohoriste të kundërtën “Krimea është Rusi”.

 

Kur grupet u bënë shumë të zëshme, një grup policësh u hynë në mes për t’i ndarë.

Liderët lokalë kanë kërkuar që protestuesit të qetësohen dhe t’u përmbahen provokimeve.