Tenistët serbë ia panë hairin bombardimeve të NATO’s

Dusan Milojkovic, kryetar i Komitetit të Trajnerëve në Serbi, thotë se bombardimet e NATO’s gjatë vitit 1999, ishin ato që sollën zhvillim të madh të tenistëve serbë. Sipas tij, yjet e tenisit serb si Novak Djokovic, Janko Tipsarevic, Jelena Jankovic e Ana Ivanovic, u zhvilluan më së shumti gjatë tremujorit të bombardimeve të forcave aleate…

Sport

17/03/2014 11:20

Dusan Milojkovic, kryetar i Komitetit të Trajnerëve në Serbi, thotë se bombardimet e NATO’s gjatë vitit 1999, ishin ato që sollën zhvillim të madh të tenistëve serbë.

Sipas tij, yjet e tenisit serb si Novak Djokovic, Janko Tipsarevic, Jelena Jankovic e Ana Ivanovic, u zhvilluan më së shumti gjatë tremujorit të bombardimeve të forcave aleate perëndimore.

“Gjatë kësaj periudhe, fëmijët nuk shkuan në shkolla. Lojtarët u lidhën më shumë për tenisin dhe shumë turne u organizuan për t’i harruar problemet”, u shpreh Milojkovic, njëherësh sekretar i Federatës së Tenisit në provincën e Vojvodinës, për mediat serbe.

Përndryshe, bombardimet e NATO’s ndodhën në periudhën mars-qershor të vitit 1999, duke i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë dhe njëherësh largimin e forcave serbe nga vendi ynë.

Sipas Milojkovic, tenistët serbë, që tani janë bërë yje të tenisit botëror, nuk kishin të holla dhe shpesh huazonin para, vetëm për të udhëtuar dhe luajtur në turne.

“Lojtarët kaluan në një periudhë vuajtjeje gjatë së cilës atyre iu desh të huazonin para për t’i financiar vetë udhëtimet e tyre për të luajtur në turne”, përfundoi Milojkovic.