“Tenderi”, filmi që konverton një njeri normal – në vrasës

“Ky film është duke u realizuar me një kastë shumë të mirë aktorësh, dhe e kemi bërë në mënyrë shumë shoqërore, jam shumë e kënaqur me ecuritë”, theksoi për KultPlus, Arlinda Morina.

ShowBiz

23/05/2016 22:56

Një shofer taksie i cili është vrasës me pagese, shfrytëzon natën që të punojë punën e tij. Ai merret me bartjen e drogës, merret me prostitucion duke mos e lënë anash edhe vrasjen, ndërsa gjatë ditës është thjeshtë shofer taksie. Ky është pak a shumë sinopsisi i filmit të metrazhit të shkurtër “Tenderi”, film ky që vjen me skenar e regji të Arlinda Morinës, me producent Edison Dabiqaj e Bardhyl Bejtullahun dërsa asistent i filmit është austriaku Chris Mader.

“Tenderi”, është në ditën e dytë të xhirimeve, ku një gjë të tillë e tregoi për KultPlus, vetë regjisorja Morina, e cila përveç të tjerash u shpreh shumë e kënaqur me xhirimet e kastën e aktorëve. “Ky film është duke u realizuar me një kastë shumë të mirë aktorësh, dhe e kemi bërë në mënyrë shumë shoqërore, jam shumë e kënaqur me ecuritë”, theksoi Arlinda Morina.

Në kastën e aktorëve të “Tenderi”, bëjnë pjesë Edison Dabiqaj i cili njëherësh me këtë film edhe diplomon në studimet e tij master në aktrim, Valina Muçolli, Vlora Nikçi, Doresa Rexha, Granit Uka, Agan Asllani, Agush Mulliqi, Agnes Nokshiq, Dardan Gashi dhe sipas regjisore edhe një aktorë shumë shpejt do ta përzgjedhë që të jetë në këtë kastë. Kostumet e aktorëve i ka bërë Yllka Mustafa, grimin Alma Spahiu, skenografinë Edina Mustafiq dhe Jetmira Hoxha, drejtor i fotografisë është Lulzim Bejta, toni Agron Demolli ndërsa kameraman Rron Ismaili.

Ky film po sipas regjisores pritet që premierën do ta ketë në ndonjë festival, por ende nuk ka ndonjë përgjigje ma konkrete. “Të përfundojmë njëherë xhirimet, pastaj premierën besoj që do ta kem në varësi të ndonjë festivali”, përfundoi skenaristja dhe regjisorja e filmit “Tenderi”, Arlinda Morina./KultPlus.com