Tender një milionësh për kushëririn

Posta dhe Telekomi i Kosovës i ka dhënë tender prej afro një milionë eurosh, me procedurë të negociuar dhe pa njoftim publik, kushëririt të kryesuesit i Bordit të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj.

Lajme

19/06/2014 09:23

Ky tender nuk është publikuar fare në ueb faqen zyrtare të PTK-së, por zyrtarët e kësaj kompania pranojnë se ky tenderë është dhënë.

Bazuar në dokumentin që ka siguruar “Koha Ditore”, tenderi i është dhënë kompanisë “Altima d.o.o”, dhe personi kontaktues i kësaj kompanie është Dardan Gjonbalaj.

Gazeta mëson se në PTK, punojnë dy persona me po të njëjtin mbiemër, Rexhë Gjombalaj që është kryesues i Bordit të PTK-së dhe Fatmir Gjonbalaj, që është menaxher i prokurimit.

Rexhë Gjonbalaj ka thënë për gazetën se Dardan Gjonbalajn e ka kushëri, porse nuk është në dijeni se ai ka marrë ndonjë tender nga PTK.

“Po, e njoh Dardanin, e kam kushëri, jo anëtar të familjes së ngushtë”.

“Unë nuk i di punët ditore të PTK-së”, është shprehur Rexhë Gjonbalaj, teksa është pyetur se a ka qenë në dijeni se kushëriri i tij ka marrë tenderin.

Ndërkaq, në përgjigjen zyrtare të PTK-së, thuhet se ky tenderë është dhënë në procedurë të negociuar.

Tenderi ka të bëjë me zgjerimin e sistemi të përkrahjes së biznesit dhe depos të të dhënave.

“Është përdorur procedurë e negociuar, pa publikim të njoftimit për kontratë, pas që “Altima” paraprakisht ka implementuar të njëjtin sistem në “Vala”, ndërsa kjo kontratë e zgjerimit i po të njëtit projekt për të mbuluar edhe shërbimet e Telekomit të Kosovës”, shkruan sot “Koha Ditore”.