Temat normale të Kosovës

 Prioritetet publike dhe politike në Kosovë, në masë të madhe, janë refuzuese ndaj realitetit në Kosovë dhe ndaj interesave të këtij vendi dhe të qytetarëve të tij.

Lajme

20/04/2017 10:09

Është shumë vështirë që temat të cilat mund të cilësohen si ‘normale’, në këtë shoqëri, (dhe në të gjitha shoqëritë tjera, në shtetet e demokracisë liberale, çfarë pretendojmë të jemi, si Kosovë), të arrijnë disi të depërtojnë në nivelet më të larta të politikës kosovare, apo edhe të vetë mediave në vend. Prioritetet publike dhe politike në Kosovë, në masë të madhe dhe në vazhdimësi, janë refuzuese ndaj realitetit të mirëfilltë në Kosovë dhe ndaj interesave të njëmendtë të këtij vendi dhe të qytetarëve të tij.

Rëndom, këto tema normale mbërrijnë tek ne si porositë kryesore të lajmeve të këqija, në parandalimin e të cilave bëjmë fare pak, sepse jemi të zënë me punën e tjera  (të ‘prioritetit të lartë’).

Janë disa shembuj të kësaj natyre në kohët e fundit.

Vjet ta zëmë, vetëm pasiqë morëm vesh për rezultatet e Pisa Testit, kuptuam botërisht (atë që e kemi ditur thuaja të gjithë privatisht), që kemi telashe të mëdha me kualitetin e munguar të arsimit në Kosovë. Arsimi si temë është shpesh i pranishëm në media dhe në politikë, por në ato format që objektivisht, nuk trajtojnë thelbin e çështjes: cilësinë e tij. Deri vonë, apo deri te këto rezultatet e Pisa Testit, ka qenë ‘blasfemi politike’ të thuhet që cilësia e arsimit, në përgjithësi, pas luftës, nuk është më e mirë fare se sa në atë periudhën e sistemit paralel, gjatë viteve të okupimit, kur mësimi është zhvilluar në kushtet më të këqija të mundshme. Arsimi është parë, prej vitit 1999 si burim i pushtetit, i votës, i përfitimeve të lloj-llojshme, i përgatitjes për ndryshimin e kursit themelor të këtij vendi, i ndikimit të gjithëfarshëm, por jo edhe si themel i të ardhmes së Kosovës. Tagrin e kësaj sjelljeje tonë të gabuar, tek do ta paguajmë në të ardhmen.

Sidoqoftë, mirë është që falë Pisa Testit, kemi nisë të flasim në hapur se kurrë për domosdoshmërinë e ndryshimit të cilësisë së arsimit në Kosovë.

Në dhjetorin e vitit të kaluar, falë të dhënave që na bëheshin të ditura nga Ambasada e Amerikës në Kosovë, qytetarët e Prishtinës nisën të marrin vesh atë që e kishin parë dhe nuhatur për çdo ditë të lume: Që niveli i ndotjes së ajrit në kryeqytetin e Kosovës është shumë më i lartë se sa që duhet a sa lejohet. Nisi të ndodhë diçka që vetëm pak kohë më parë, ka qenë e paimagjinueshme: Tema e ndotjes së Prishtinës dhe masave që duhet ndërmarrë për përmirësimin e kualitetit të ajrit në kryeqytet, por edhe gjetiu, në Kosovë, u bë çështje debati, prej familjeve tona, kafeneve dhe restoranteve të qytetit,  deri tek mediat kryesore në vend dhe te vet politika. Në ndërkohë, e tëra është lënë menjanë, por s’do mend që tema e ndotjes së ambientit në Prishtinë dhe në Kosovë, do të jetë gjithnjë e më pranishme në vend.

Ditëve të fundit, sërish përmes një lajmi të keq, kuptuam sa jemi të varur, në bujqësinë e këtij vendi, nga moti, apo, që ende nuk kemi bërë çka duhet që ndikimi i motit të keq të jetë sa më i vogël në rendimentet bujqësore në Kosovë. Për disa ditë rresht, kryelajmet e televizioneve kombëtare në vend, u morën edhe me pasojat e temeperaturave shumë të ulëta (nën zero, gjë që është dukuri e rrallë edhe për Kosovën që shquhet me lëvizje të mëdha të temperaturave), për kulturat bujqësore, dhe për masat që prodhuesit vendorë po i aplikojnë në përpjekjen e tyre për të shpëtuar çka mund të shpëtohet. Ishin rrëfime prekëse, emocionale, sepse bëhej fjalë për një punë të madhe që ishte bërë prej vjeshtës së vitit të kaluar e këndej, e që mund të shkojë posht  (si thuhet), brenda pak orëve shumë të ftohta të mëngjesit të kësaj jave të prillit.

Edhe këtu, duket që ka nisë të ndodhë vetëdijësimi për mënyrën se si do të mirremi tash e tutje me sprovat e natyrës në Kosovë.

Ka edhe tema të tjera normale që arrinë do të bëhen kryelajm në këtë vend, edhe para se të ‘aterojnë’ tek ne përmes kumteve të këqija. Ato rëndom janë rezultat i shënimit të Ditës së tyre, në Kosovë dhe në Botë. Kështu, zakonisht falë këtyre ditëve, mësojnë sa me rëndësi është preventiva në rastin a kancerit të gjirit, çfarë përkujdesje meritojnë ata që janë prekur me Down sindromin, ata që kanë nevoja të veçanta, etj.etj.

Megjithatë, në shumicën prej tyre, ne ende jemi në nivelin e vetëdijësimin për ekzistimin e këtyre temave, pa u organizuar sa duhet.