Tema Kosovë/Shqipëri apo Mendimi avangardist i terrasave të izoluara

Ndërkohë, derisa ne të fillojmë të ndihemi krenarë me Kosovën apo Shqipërinë, terrasat e emisionet do krijojnë kombe të reja, debate të reja dhe tema që s'ekzistojnë.

Opinion

18/10/2016 22:34

Shkruan: Nezir Kraki

Sa herë që hapet tema identitare Kosovë/Shqipëri, asgjë e re nuk thuhet dhe asgjë s’mësohet. Thjesht abuzohet me oksigjenin sepse kjo temë, në këtë moment, nuk ekziston. S’ekziston sepse vet Kosova e Shqipëria ende s’e kanë dëshmu ekzistencen e tyre sa duhet, në mënyrë që t’i imponohen kohës dhe njerëzve.

Megjithatë, i kuptoj ideologët që e kanë marrë bajrakun avangardist Pro dhe Contra, dhe kanë hapë fabrikë për prodhimin e etiketave kombëtare të cilat i shpërndajnë sa herë që dikush guxon të ndihet i ndryshem nga ta. Sa herë që dikush guxon të ketë kujtime më të vjetra se viti ’99. A e dini pse i kuptoj? I kuptoj sepse shumica absolute e tyre e kalojnë kohen “analitike” në 2km katror, aq sa është sheshi i Prishtinës, dhe nga terrasat me makiato janë të bindur se e kanë kuptu jo Kosovën e Ballkanin, por edhe Palestinën dhe Kashmirin, se për Evropën e temat e saj të lehta si Brexit apo TAFTA as që bëhet fjalë. Shkaku i hapesires së vogël mendore dhe gjeografike, druajnë se janë në rrezik permanent dhe shohin armiq kudo. E dinë që në luftën për ekzistencë, në xhunglën e mendimit makiatist të Prishtinës apo atë siperfaqësor të Tiranës, duhen tema që bëjnë BOOM, me u dallu nga i tjetri që “analizon” n’terrasen përballë apo n’emisionin përballë. Kush fenë, kush kombin, kush identitetin, kush xhihadin : tema për ushqim mediatik një javor e tani prap kthehen n’realitet. Kthehen në jeten pa shtet, pa frymë kombi, pa rrymë, pa ujë, pa rrugë, pa spitale, pa shkolla, pa universitete, pa të ardhme.

Por, prap i them vetes shyqyr që çështja shqiptare është më e gjerë se terrasat a makiatove n’Prishtinë apo studiot televizive n’Tiranë dhe më e thellë se mendimi “à la mode” që mediat e ushqejnë qorrazi për klikime. Se ne, Shqiptarët e Ballkanit, këto lluga patriotike kunderproduktive i kemi pasur gjithmonë si sport. Sikur ta kishim dite kush jemi dhe çfarë duam qysh në vitin 1900, historia jone do kishte pasë kurs tjeter. Dhe tash, disa mendojnë se prapë ka ardhe koha që t’i vërsulemi vetvetes, ta prishim atë pak rrugë që e kemi ndertuar herë të ndarë e herë të bashkuar. Tash i kemi dy shtete dhe e dimë çfarë shtetesh kemi : secili me keq se tjetri edhe pse jemi zot shtëpie në to. S’kemi çka i shesim njëri-tjetrit, as mend as kulturë as sukses. Jemi prezent edhe ne 3-4 shtete tjera përreth por kemi edhe aty mbete me status endacaku, të kapur për vagonët e trenave të huaj.

Që të jem konkret, dhe duke u bazu në përvojën personale, sot per sot, të katandisura siç janë, Kosova e Shqipëria s’i duhen njëra-tjetrës. Prandaj as nuk përbëjnë rrezik për njera-tjetren. Janë bërë disa progrese matanë e këndej kufirit por s’mjaftojnë që popujt të ndihen krenarë me shtetet e tyre dhe kështu të vetorganizohen në komb. Identitetin modern kombëtar e krijon krenaria.

Ndërkohë, derisa ne të fillojmë të ndihemi krenarë me Kosovën apo Shqipërinë, terrasat e emisionet do krijojnë kombe të reja, debate të reja dhe tema që s’ekzistojnë.

(Autori është ligjerues i Shkencave Politike në Universitetin Paris EST)