Telekomi dhe IPKO kërkojnë edhe një vit kohë për implementimin e plotë të +383-shit

Kodi shtetëror telefonik  i Kosovës mund të mos implementohet tërësisht as këtë vit, me kërkesë të operatorëve telefonikë që po kanë problem në largimin nga përdorimi të kodeve ekzistuese.

Lajme

31/10/2018 22:31

Implementimi i tërësishëm i kodit shtetëror fillimisht ishte paraparë të bëhet më 1 qershor të këtij viti por u shty me kërkesë të dy operatorëve telefonikë, Telekomi i Kosovës dhe IPKO, deri më 31 tetor të këtij viti.

Edhe pas kalimit të këtij afati, këta operatorë po kërkojnë që të kenë edhe një vit në dispozicion për të larguar nga përdorimi kodet ekzistuese +377 dhe +386.

Kështu konfirmoi Kreshnik Gashi, drejtor i Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare.

Ai tha se në një mbledhje që pritet të mbahet të premten do të vendoset nëse do të lejohet shtyrja e afatit për implementimin e këtij kodi.

“Sfiduese për  operatorët ka mbetur largimi i kodeve 377 dhe 386 si kode alternative që janë në funksion, për çka, ata kanë kërkuar vazhdimin e afatit të 31 tetorit edhe për  të paktën 1 vit në mënyrë që të mund të largohen në tërësi këto kode… ARKEP do të pres datën 1 nëntor për të bërë vlerësimin dhe testimin e implementimit të kodit +383 bazuar në vendimin aktual, ndërsa me datën 2 nëntor ka paraparë mbledhjen e rregullt të Bordit Drejtues të ARKEP në të cilën do të shqyrtohet niveli i implementimit të kodit si edhe kërkesat e operatorëve për shtyrjen e afatit të largimit të plotë të kodeve tjera”, tha Gashi për kallxo.com

Megjithatë, në maj të këtij viti, Gashi kishte thënë se ARKEP nuk do të lejojë shtyrje të tjera të këtij afati.

“Ne kemi konkluduar që fundi i tetorit të jetë afati optimal dhe nuk do të ketë shtyrje tjera. Ne mendojnë që nëse nuk implementohet deri në atë kohë, idjea apo diskutimet brenda ARKEP-it janë që pasojnë penalltitë apo dënimet”, kishte thënë  Gashi.

Drejtori i ARKEP, megjithatë nuk e mohoi mundësinë e sanksioneve ndaj operatorëve për mos zbatimin e vendimit të këtij institucioni.

“Sigurisht që, pas analizimit të situatës si dhe kërkesave të operatorëve Bordi Drejtues i ARKEP do të marrë vendim në lidhje me këtë çështje në përputhje me detyrat dhe përgjegjësitë që dalin nga Korniza Rregullatore për Komunikimet Elektronike, duke mos përjashtuar këtu mundësinë e shqiptimit të masës  sanksionuese për moszbatim të vendimit të ARKEP në lidhje me këtë çështje në rast se konstatohet që moszbatimi i vendimit të ARKEP ka ardhur si rezultat i veprimeve neglizhente të operatorëve”, tha Gashi.

Organizata  Ndërkombëtare e Telekomunikacionit (ITU) në pajtim me marrëveshjen e telekomit në mes të Kosovës dhe Serbisë në dhjetor të vitit 2016 pati alokuar kodin telefonik për Kosovën.

Që nga ajo kohë ishte paralajmëruar një periudhë në maksimum 18 muaj për ‘migrimin’ e sim-kartelave vendore në kodin e ri nga kodet ekzistuese +377 ( e përdorur nga Vala) dhe +386 (e përdorur nga IPKO) dhe edhe më pak se kaq për zhdukjen e kodit për telefoni fikse +381.

+381-shit përfundimisht i erdhi fundi më 24 mars të këtij viti.

Ndërsa periudha e ekzistimit të kodeve +377 dhe +386 pritej të përfundojë në muajin qershor të këtij viti.

Gjatë kësaj periudhe tranzitore është dashur të bëhen marrëveshje individuale me operatorë të huaj telefonikë në mënyrë që ata ti hapin ‘routat’, për thirrje ndërkomëbtare hyrëse dhe dalëse me kodin e ri.