Telefoni funksional, pasi t’i paguhet dogana

Nga mesi i këtij viti, telefonat mobilë në Kosovë nuk do të funksionojnë nëse nuk janë paguar detyrimet doganore. Identifikimi i telefonave të tillë do të bëhet shumë lehtë përmes një softueri.

Lajme

20/01/2014 21:05

Numri i telefonave që zhdoganohen në Kosovë është tejet i vogël, pasi që shumica prej tyre hyjnë në mënyrë ilegale, ka njoftuar drejtori i doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna.

“Për shkak të natyrës së mallrave, ne nuk kemi pasur mundësi të inkasojmë sa duhet sepse si paketim është mall i vogël dhe zakonisht qytetarët importojnë edhe nëpër xhepa”, tha ai për Radio Kosovën.

Për këtë arsye, drejtori Rafuna tha se është vendosur të merren praktikat më të mira të vendeve të Bashkimit Europian dhe të vendeve tjera.

“Me Autoritetin Rregullativ të Telekomunikacionit (ART), kemi vendosur që prej 1 qershorit të fillojmë me inkasimin e detyrimeve doganore për telefona mobilë në momentin e parë të lëshimit në përdorim, ose fillimit të shfrytëzimit me numër lokal të Republikës së Kosovës. ART’së i është lejuar buxheti, ata do ta blejnë softuerin, me të cilin do të identifikojnë. Ka shumë raste në BE, e jashtë BE’së rasti më i mirë për ta marrë si shembull është Turqia”, tha Rafuna.

Lulzim Rafuna, Drejtor i Doganave të Kosovës

Tregu i telefonave mobilë në Kosovë karakterizohet me çmime shumë më të ulëta se në vende tjera. Por, kjo masë e re, sipas drejtorit Rafuna, nuk do të ndikojë në ngritjen e çmimeve.

“Në të gjitha vendet ku ka filluar të aplikohet kjo procedurë, barrën ose obligimin për t’i paguar detyrimet importuese i kanë marrë operatorët e telefonisë mobile, për t’i motivuar njerëzit të bëhen klientë të tyre”, tha ai.

Sipas drejtorit të Doganës Lulzim Rafuna, importin e telefonave mobilë do të mund ta bëjnë vetëm operatorët e licencuar të Republikës së Kosovës.

Për sa i përket telefonave aktualë të cilët i posedojnë qytetarët, do të vazhdojnë të funksionojnë. Ndryshe, sipas të dhënave të ART’së, deri 30% të telefonave çdo vit ripërtërihen.

Prandaj, brenda periudhës trevjeçare, të gjithë telefonat mobilë në vend planifikohet të jenë telefona për të cilët janë paguar detyrimet.

Për sa i përket kësaj çështjeje, në vend të dy tatimeve, 10% tatim doganor e 16 për qind TVSH në vlerën e telefonit mobilë, ekziston mundësia të vendoset një tatim fiks.