Telefonata e fundit e Obamas me mikeshën e madhe, Angela Merkel

Barack Obama zgjodhi një mikeshë speciale për telefonatën e fundit të tij si president ndaj një udhëheqësi të huaj, përpara se Donald Trump të bënte betimin dhe të hynte në Shtëpinë e Bardhë.

Bota

20/01/2017 23:09

Në telefonatën e bërë të enjten, ish-presidenti Obama foli me kancelaren gjermane Angela Merkel për të theksuar se marrëdhëniet e forta SHBA-Gjermani janë jetike për rendin botëror.

Obama dhe bashkëshortja e tij Michelle biseduan me Merkelin dhe bashkëshortin e saj, profesorin Joachim Sauer, ku shprehën “vlerësimet për miqësinë mes tyre dhe për përpjekjet për të krijuar një partneritet më të thellë mes Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara përgjatë 8 viteve të fundit”.

Ish-udhëheqësi amerikan dhe Merkel ranë dakord se bashkëpunimi “ishte thelbësor në sigurimin e një lidhjeje të fortë transatlantike, një rendi ndërkombëtar të bazuar mbi ligjin dhe mbrojtjen e vlerave që kanë sjellë kaq shumë progres për humanizmin në vendet tona dhe anembanë botës”.

Obama falënderoi gjithashtu Merkelin për “lidershipin e saj të fortë, kurajoz dhe të qëndrueshëm”.

“Duke parë tetë vitet e miqësisë dhe partneritetit, Presidenti vuri në dukje se ishte e përshtatshme që telefonata e tij e fundit me një udhëheqës të huaj të ishte pikërisht me Kancelaren Merkel, së cilës i uroi më të mirën në të ardhmen”, informoi Shtëpia e Bardhë.

Ky reagim erdhi pasi Trumpi lëshoi një seri sulmesh ndaj Evropës dhe Merkelit gjatë një interviste për dy medie evropiane njëkohësisht, të dielën e kaluar. /Top Channel/