Telashet e Komunës së Prishtinës me tenderin për Qendrën e Autizmit dhe Sindromit Down

Komuna e Prishtinës e kishte hapur një konkurs me 19 korrik të vitit 2017 për projektin ideor se si do të duket Qendrën e Autizmit dhe Sindromit Down. Ky tender nuk arriti të finalizohej, pasi kishte dy vendime dhe një urdhëres të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Por, Komuna e Prishtinës ishte në bisedime me TIKA-n për projektimin dhe bashkëfinancimin e kësaj qendre.

Lajme

14/07/2018 10:05

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti me 6 shkurt në Facebook kishte shkruar se një delegacion i komunës së Prishtinës bashkë me përfaqësuesit e shoqatave ‘Down Syndrome Kosova dhe Autizmi’, kanë vizituar krahinën e Konyas në Turqi, ku është një nga qendrat më moderne të autizmit në Evrope.

“Kryetari i Serçuklu-Konya, Ugur İbrahim Altay, u zotua se përmes TIKA-s do të ndihmojë në ndërtimin e një qendreje të ngjashme edhe në Prishtinë, që do t’iu ofrojë shërbime cilësore këtyre grupeve”, ka shkruar ai.

Po ashtu, Mimoza Sylejmani nga Drejtoria e Urbanizmit në Prishtinë gjatë vizitës në Turqi, kishte postuar një fotografi me disa arkitektë në profilin e saj në ‘Instagram’, duke iu referuar atyre si arkitektët që do të projektojnë Qendrën e Autizmit dhe Sindromit Down në Prishtinë.

“4 arkitektët që do ta projektojnë Qendrën për Autizëm dhe Sindrom Down”, ka shkruar Sylejmani në ‘Instagram’.

Me 20 mars, Shpend Ahmeti ka shkruar në Twitter që shumë shpejtë do të nënshkruhet marrëveshja me TIKA-n për bashkëfinancimin e ndërtimit të Qendrës së Autizmit dhe Sindromit Down.

“Në marrëveshjen me TIKA që do ta nënshkruajmë së shpejti, Komuna dhe TIKA do të bashkëfinancojnë ndërtimin e Qendrës për Autizem dhe Sindromën Down. Kjo do të jetë Qendra e parë dhe e vetme në Kosovë”, ka shkruar Ahmeti.

Ahmeti ka pritur në Prishtinë me 20 mars, delegacionin e Komunës Selçuk-Konya, me në krye nënkryetarin Ziya Yalçinkaya.

Qëllimi i kësaj vizite ishte që bashkë me TIKA-n të konkretizohet marrëveshja për ndërtimin e Qendrës për Sindromë Down dhe Autizëm (QSDA) në Prishtinë.

“Me TIKA-n jemi marrë vesh që ta financojmë së bashku ndërtimin e QSDA, ku gjysmën e parave do t’i jep Komuna dhe shoqatat, e gjysmën tjetër qeveria turke përmes TIKA-s. Lokacioni tashmë është ndarë afër stacionit të autobusëve. Përveç ndihmës financiare, kemi kërkuar ndihmë edhe në atë se si duhet të duket kjo qendër, e edhe si duhet të menaxhohet”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Këtë ai e kishte thënë derisa procesi i prokurimit ishte duke vazhduar për të njëjtin aktivitet për të cilin Ahmeti kishte thënë se do ta marrin në formë të ndihmës nga TIKA. E aktivitetin e prokurimit, Komuna e Prishtinës ka synuar të anulojë duke e vlerësuar me 0 (zero) pikë një projekt-propozim që kishte kaluar të gjitha kriteret ligjore administrative të kërkuara.

Historia e këtij tenderi nis me njoftimi për hapjen e aktivitetit të prokurimit nga komuna e Prishtinës të bërë me 19 korrik 2017. Sipas këtij njoftimi, fituesi i çmimit të parë fiton hartimin e projektit kryesor, fituesi i çmimit të dytë merr si shpërblim 7 mijë euro dhe fituesi i çmimit të tretë merr 4 mijë euro. Komuna e Prishtinës e kishte anuluar këtë aktivitet të prokurimit, me arsyetimin se një dispozitë në Ligjin e Prokurimit Publik kërkonte anulimin (nuk është dorëzuar asnjë tender i përgjegjshëm).

Dy vendimet e OSHP-së

Por, me 9 tetor “NTP PRIMA Engineering” është ankuar në lidhje me vendimin e komunës së Prishtinës të datës 14 shtator 2017, për anulimin e aktivitetit të prokurimit.

Në vendimin e OShP-së është aprovuar, si e bazuar ankesa e operatorit ekonomik “NTP PRIMA Engineering” dhe lënda është kthyer në rivlerësuar për procesin e prokurimit: “Konkurs projektimi për hartimin e projektit me nevoja të veçanta Sindrom Down dhe Autizëm”.

Paneli shqyrtues kishte konstatuar se komuna e Prishtinës nuk e ka vlerësuar në mënyrë të drejtë ofertën për konkurs të projektimit të OE ankues.

“Për projektin 1140 në formular ka deklaruar: “përpunimi i projektit 1140 dhe zgjidhja nuk janë në nivel të pranueshëm” dhe i ka vlerësuar me të gjitha pikët zero në tabelën e poentimit, edhe pse të njëjtin projekt me datën 2 tetor 2017 e ka vlerësuar si të kompletuar për program projektues”, thuhet në vendim.

Po ashtu, paneli shqyrtues ka konstatuar se komuna e Prishtinës nuk ka caktuar prag numerik për nivelin e pranueshmërisë së përpunimit dhe zgjidhjes që ofrojnë projektet konkurruese.

“Ndaj konstatimi i jurisë profesionale që projekti 1140 nuk ka zgjidhje dhe nivel të pranueshëm, është i paqëndrueshëm dhe i pabazuar në argumente reale”, vazhdon vendimi i OSHP-së.

Paneli shqyrtues i OShP-së ka konstatuar se juria profesionale e komunës së Prishtinës nuk ka respektuar nenin 7 te LPP-së, Barazia në trajtim/jo diskriminimi.

“Juria profesionale nuk ka dhënë arsyeshmërinë e nevojshme pse projekti nën shifrën 1140 nuk është në nivelin e pranueshëm pasi që ka konstatuar se projektet në shifrat 1990, 0460, 8789, 5044 dhe 0877 nuk janë të kompletuara dhe të njëjtat nuk mund të vlerësohen”, potencohet në vendimin e OShP-së.

Me 27 dhjetor 2017, komuna e Prishtinës ka dhënë njoftimin për eliminim kurse me 15 janar, operatori ekonomik “NTP PRIMA Engineering” është ankuar në lidhje me këtë vendim.

OShP e ka aprovuar si të bazuar edhe ankesën e dytë të Operatorit Ekonomik “NTP PRIMA Engineering” lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull, “Konkurs projektimi për hartimin e projektit me nevoja të veçanta Sindrom Down dhe Autizëm” dhe e ka kthyer lëndën në rivlerësim.  Drejtor i kompanisë ankuese, Prima Engineering është Arianit Bytyqi, që ka qenë shef i zyrës për komunikim në zyrën e kryeministrit në dy mandatet e Thaçit si kryeministër. E pronare e kësaj kompanie është Lumturije Selmani-Bytyqi.

OE ankues kishte pretenduar se komuna e Prishtinës gjatë rivlerësimit pas shpalljes së vendimit të OSHP-së e ka përsëritur shkelje ligjore të cilat i ka bërë dy herë radhazi kur ka marrë vendim për anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit.

“Duke e shpallur fillimisht projektin 1140 të dobët, dhe pastaj në nivel të papranueshëm duke e poentuar në të gjitha nënkriteret me zero pikë pa i vlerësuar bazuar në këto nënkritere projektin 1140, edhepse vetë AK në të dy rastet të njëjtin projekt e vlerëson se është në përputhje për Specifikimet Teknike Të Detyrueshme, përkatësisht me përmbajtjen e projektit aplikues (që në dosjen e tenderit është kriteri minimal dhe bazik teknik i Specifikuar për pranueshmërin e projekteve aplikuese”, thuhet në vendimin e OShP-së.

Paneli shqyrtues ka konstatuar se komisioni pas rivlerësimit të projektit ka rekomanduar anulimin e konkursit të projektimit për mungesë të projekteve të pranueshme.

“Ky konstatim i jurisë profesionale është i pa qëndrueshëm pasiqë AK-ja nuk ka caktuar prag të kalueshmërisë. Si i tillë pretendimi i Operatorit Ekonomik ankues është i qëndrueshëm”, vazhdon vendimi.

Paneli shqyrtues ka vlerësuar po ashtu si të qëndrueshëm pretendimin e OE ankues ku thuhej se neni 80, pika 2 e Ligjit të Prokurimit Publik sqaron saktësisht se “juria do të vendos mbi konkursin vetëm në bazë të kritereve të përshkruara në njoftimin për konkursin e projektimit”.

“Pasi që vërejtjet e cekura në raportin e rivlerësimit janë vërejtje teknike e jo përmbajtjesore e për më shumë nuk janë të cekura në Specifikat Teknike të Detyrueshme të dosjes së projektimit”, vazhdon vendimi.

Paneli shqyrtues ka konstatuar se juria profesionale ka bërë vlerësimin duke u bazuar më shumë në çështje teknike apo prezentim të projektit, por jo duke u thirrur konkretisht në kriteret apo nënkriteret e paraqitura në dosjen e konkursit të projektimit, mbi të cilat është dashur të behët vlerësimi.

Urdhëresa e OSHP-së

Komuna e Prishtinës, pas këtyre vendimeve të OSHP-së kishte vendosur që të anulonte gjithë aktivitetin e prokurimit. Por, serish më 19 prill, “NTP Primea Engineering” është ankuar në lidhje me anulimin e aktivitetit të prokurimit nga komuna e Prishtinës. Me 22 maj OShP ka nxjerrë një urdhëresë ku është aprovuar si e bazuar ankesa e operatorit ekonomik “NTP Primea Engineering” lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull “Konkurs projektin për hartimin projektit me nevoja të veçanta Sindromë Down dhe Autizëm”.

OShP ka urdhëruar komunën e Prishtinës që të zbatojë dy vendimet saj të kaluara në lidhje me këtë aktivitet të prokurimit duke thënë se nëse nuk respektohen vendimet do të kërkoj nga KRPP që të anuloj licencën e menaxherit të prokurimit të komunës së Prishtinës.

“Organi Shqyrtues i Prokurimit për shkak të mos respektimit të vendimeve të lartpërmendura nga ana e AK- KK Prishtinë/menaxheri i prokurimit, do të kërkoj nga KRPP-ja, anulimin e licencës për menaxherin e prokurimit të Komunës së Prishtinës sipas nenit 25 paragrafi 8 dhe 9 të LPP-së”, theksohet në urdhëresë.

Në përgjigjen e komunës së Prishtinës për gazetën JnK thuhet që pas urdhëresës së lëshuar nga OShP me 22 maj, komuna e Prishtinës ka bërë anulimin e anulimit të aktivitetit të prokurimit me 24 maj, njoftim i cili është publikuar në KRPP.

“OShP është njoftuar nga AK se është bërë anulimi i anulimit të aktivitetit të prokurimit dhe se do të vazhdojë me procedurat tjera lidhur me këtë aktivitet sipas rekomandimeve të urdhëresës të datës 22.05.2018 me datën 24.05.2018”, thuhet në përgjigjen e komunës së Prishtinës.

Më tej në përgjigje thuhet se vendimi për formimin e komisionit të vlerësimit është bërë me 29 maj.

“Komisioni i vlerësimit është duke punuar dhe së shpejti do të marrë edhe vendimin përfundimtar për këtë aktivitet”, përfundon përgjigja.

Gazeta JnK e ka pyetur OShP-në nëse komuna e Prishtinës e ka njoftuar me kohë për veprimet që i ndërmarrë pas urdhëresës.

Në përgjigjen e OShP-së thuhet se komuna e Prishtinës e ka njoftuar në lidhje me veprimet e ndërmarra me 22 qershor, një muaj pas urdhëresës.

“Sa i përket aktivitetit te prokurimit “Konkurs projektin për hartimin e projektit me nevoja të veçanta Sindrome Down dhe Autizëm”, OShP me datën 22.05.2018 ka lëshuar urdhëresën me nr 144/18, AK me datën 22.06.2018 ka dërguar njoftimin lidhur me veprimet e ndërmarra”, theksohet në përgjigjen e OShP-së.

Frika në prokurimin e Prishtinës

Në urdhëresën që OShP kishte nxjerrë me 22 maj, thuhej që nëse nuk respektohen dy vendimet e saj paraprake do të kërkoj nga KRPP që të anuloj licencën e menaxherit të prokurimit të komunës së Prishtinës. Me 24 maj, komuna e Prishtinës kishte njoftuar që e kishte bërë anulimin e anulimit të aktivitetit të prokurimit.

Me 26 qershor, Arianit Bytyçi, drejtor i “NTP PRIMA Engineering”, i është drejtuar shefit të prokurimit në Prishtinë me një letër duke e paralajmëruar se rastin do ta dërgojë në Prokurorinë Speciale përmes kallëzimit penal.

“Me sinqeritetin më të madh dhe dedikimin më të lartë profesional dhe ligjor, ju njoftojmë se në rast të moszbatimit të drejtë të Urdhëresës 144/18 të OShP-së për zbatimin e dy vendimeve paraprake të OShP-së për këtë konkurs projektimi deri me datën 29 qershor 2018, unë jam i detyruar që për ju si menaxher i Prokurimit të komunës së Prishtinës të parashtroj para Prokuroriës Speciale të Republikës së Kosovës, Kallëzim Penal për keqpërdorimin nga ana juaj të pozitës zyrtare dhe mosrespektimin e dispozitave ligjore të Ligjit të Prokurimit dhe të Ligjit të Procedurës Administrative”, thuhet në letrën e tij.

Pas kësaj letre, shefi i prokurimit në Prishtinë i kishte dërguar pronarit të “NTP PRIMA Engineering” të gjithë komunikimin që ishte bërë brenda komunës për këtë aktivitet të prokurimit që nga nxjerrja e urdhëresës nga OShP.

Në bazë të emaileve të siguruara nga Gazeta JnK nga pronari i “NTP PRIMA Engineering”, nga 25 maji e deri me 21 qershor, shefi i prokurimit në komunën e Prishtinës, Zekë Bardhaj ka kërkuar krijimin e komisionit vlerësues për projektin, i ka njoftuar për urdhëresën, kryetarin Shpend Ahmeti dhe drejtorin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ka kërkuar respektimin e saj.

Kërkesën disa herë e kishte paraqitur, pasi nuk kishte marr përgjigje nga kryetari. E pas formimit të komisionit për rivlerësimin e ofertave serish kishte paqartësi, pasi anëtarët e komisionit nuk dinin së cfarë kompetenca kishin. Madje, menaxheri i prokurimit, disa herë ia ka kujtuar atyre për urgjencën që të merret një vendim sepse rrezikohej licenca e tij e prokurimit. E për këta të fundit, ai kishte edhe një takim informativë në Komisionin e Rregullativë të Prokurimit për të cilin ishte përgaditur së bashku me krejt hapat që i kishte ndërmarr për të zbatuar vendimet e OSHP-së.

Gazeta JnK ka kërkuar përgjigje nga komuna e Prishtinës në lidhje me zvarritjen e këtij projekti por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.