Tejkalimi në Gjakovë

Pal Lekaj nuk dëshiron të flasë për humbje, pasi mendjen e ka në fitore. Hapësirën elektorale e sheh në zonat rurale. Përmend afërsinë me elektoratin e PDK'së dhe pret mbështetjen në balotazh. Sipas tij, Mimoza Kusari e ka arritur maksimumin.

Lajme

08/11/2013 16:15

Fjalori me të cilin do të përshkruhej më së miri beteja e fortë elektorale për Kryetar të Gjakovës është ai i një gare të ashpër automobilistike.

Kusari e ka tejkaluar Lekajn në raundin e parë, por Lekaj beson se do ta tejkalojë Kusarin në balotazh.

Aktualisht, Kandidatja e Aleancës për Kosovën e Re, Mimoza Kusari-Lila, është në avantazh, duke qëndruar larg 3,390 vota ndaj Pal Lekajt të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ky është rezultati i raundit të parë të garës, në të cilin Mimoza Kusari-Lila, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, arriti shifrën e 19.308 votave, ose 43,43 për qind, ndërsa rivali i saj kryesor, Pal Lekaj, mbeti në pozitën e dytë me 15.918 vota, ose 35.80 për qind.

Kjo distancë nuk po i pëlqen Lekajt të AAK’së, i cili e ka në dorë timonin e udhëheqjes me qytetin e Gjakovës.

Ai shpreson që ta mbajë këtë timon edhe pas 1 dhjetorit, kur do të zhvillohet rrethi i dytë i zgjedhjeve në Gjakovë dhe në të gjitha qytetet tjera ku ka balotazh.

Në një intervistë për lajmi.net, Pal Lekaj thotë se ka fuqi që ta tejkalojë rivalen e saj dhe ta fitojë garën.

Ka edhe shpjegimet e tij për këtë, ndoshta edhe për t’i dhënë vetes shpresë.

“Vota ime e raundit të parë ka shkuar tek PDK dhe LDK, pasi ato ishin të mobilizuara më 3 nëntor”.

“Ato e patën mobilizuar elektoratin dhe kjo ishte arsyeja e mungesës së votës për mua si Kryetar i Komunës”.

“Ndonjë votë të cilën e  ka marrë Mimoza është shumë lehtë që të rikthehet, pasi ata votues vetëm kanë filluar që të mendojnë ndryshe për raundin e dytë”.

“Unë shpresoj se jo vetëm që do ta kem rezultatin e vitit 2009, por do ta tejkaloj atë rezultat”.

Pal Lekaj e pranon se gara sivjet ka pasur ndryshime, në krahasim me zgjedhjet e fundit lokale.

“Është e vërtetë që gara për Kryetar ka pasur ndryshime, sepse më përpara Kandidati për Kryetar Komune nga PDK’ja nuk e ka marrë votën e partisë, ndërsa tani është shtuar diku rreth 40 për qind vota e kësaj partie në Gjakovë dhe Kandidatit të saj për Kryetar Komune, i cili tani e ka marrë votën e partisë”.

Lekaj thotë se është duke biseduar për mundësitë e lidhjes së koalicioneve për raundin e dytë të zgjedhjeve, por deri tash nuk ka asgjë konkrete. Sidoqoftë, përmend afërsinë e natyrshme midis elektoratit të AAK’së dhe PDK’së, dhe kjo e bën të besojë në mbështetjen që mund ta marrë në balotazh.

“Ne jemi duke biseduar, por nuk kemi marrë asnjë vendim sa i përket koalicioneve”.

“E kam thënë dhe prapë e po e them – elektorati i PDK’së është shumë elektorat i përafërt me Aleancën, por edhe me mua personalisht”.

“Shpresat e mia për fitore në balotazh janë 100 për qind, sepse elektorati është mobilizuar, po ashtu edhe qytetarët”.

Kryetari aktual i Gjakovës thotë se ai personalisht ka më shumë vota se partia, andaj edhe nuk brengoset shumë për pozitën e tij në parti, edhe në rast se humb zgjedhjet.

Megjithëse nuk dëshiron të flasë për humbje, pasi në mendje e ka fitoren.

Thotë se hapësirën e tij elektorale e sheh në zonat rurale.

“Unë kam 100 për qind vota më shumë se partia dhe dega”.

“Ju them se cilido verdikt që do të dalë nga vota e qytetarëve të Gjakovës, unë do ta pranoj”.

Por, synim ka fitoren.

Këmbëngul që votat e tij nuk kanë shkuar te rivalja Kusari, e cila braktisi dy pozita të rëndësishme në Qeverinë e Kosovës për garën e Gjakovës.

“Po them prapë se Mimoza nuk më ka marrë mua elektorat”.

“Mendoj që ajo e ka arritur maksimumin, ndërsa unë kam hapësirë diku edhe për 9 deri 10 mijë vota”.

“Ne kemi pjesën e elektoratit në zonat rurale, por edhe në qytet unë kam 5 mijë vota”.