Teatri zviceran e vë peng ekzistencën e vet për vizat e aktorëve nga Kosova! – Lajmi.net
Teatri zviceran e vë peng ekzistencën e vet për vizat e aktorëve nga Kosova!
Autori: Lajmi.net Kulturë/ArteLajme 16:17, 1 June 2017
Pesë ditë rresht, nga 26 deri më 30 maj në “Theater Pavillon” të Lucernit është shfaqur pjesa teatrore “Schatzi, a je mirë?” e realizuar si bashkëpunim në mes të teatrit të të rinjve “ActNow” të Lucernit dhe nxënësve të shkollës “Don Bosko” të Gjilanit

I gjithë subjekti i shfaqjes “Schatzi, a je mirë?” zhvillohet brenda marrëdhënies në mes dy të rinjve: Hansit, zviceran dhe Lumturisë, kosovare. Hansi kërkon fatin e tij në Kosovë e Lumturia, në Zvicër, ndërkohë që “Lumturia” këtu nuk është vetëm emri i vajzës por edhe një aludim për konceptin e lumturisë në jetë, fatit. Pastaj kjo marrëdhënie nga distanca e dy të rinjve shërben si sfond për shtjellimin e një problematike të gjerë që ka të bëjë me identitetet, me dallimet dhe ngjashmëritë në mes të kulturave, sistemeve të vlerave në dy vendet etj.

Një skenë e thjeshtë por shumë funksionale

Në një shfaqje të thuash pa skenografi dhe pa kostumografi, janë tetë aktorë vendës dhe gjashtë nga Kosova ata që me aktrimin e tyre intensiv e mbushin skenën. Valixhet ndërkaq janë rekuizitat e vetme të kësaj shfaqjeje dhe ato, të përdorura në mënyrë “multifunksionale” e përplotësojnë në mënyrë të përsosur mungesën e skenografisë. Veç kësaj, valixhet simbolizojnë udhëtimin, migrimin, një botë në lëvizje, ndërsa të gjitha këto edhe janë pjesë e idesë së shfaqjes. Janë të realizuara veçanërisht bukur skenat me burokratët që për një vizë kërkojnë qindra dokumente nga më absurdet, një vënie në lojë kjo e absurditetit të cilit qytetarët e Kosovës vazhdojnë t`i nënshtrohen edhe në këtë epokë kur thuhet se bota është shndërruar në një “fshat global”.

Nina Halpern ka bërë regjinë e shfaqjes. Ajo është po ashtu drejtuese artistike e teatrit “ActNoW”. “Ideja e projektit tonë që ka filluar para dy vitesh ishte që t`i bëjmë bashkë të rinjtë nga Gjilani me moshatarët e tyre nga Lucerni dhe të realizojnë së bashku një pjesë teatrore”, thotë Halpern për albinfo.ch. Tema ishte “Lumturia” ngase patëm kuptuar se ky është njëherësh edhe emër femre dhe kështu, ne të gjithë projektin e emërtuam “Ich bin Lumturia” (Unë jam Lumturia). Projektin e kemi shtrirë brenda dy vitesh sepse organizimi i trupës në Gjilan dhe koordinimi i saj me atë në Lucern kërkonte më shumë kohë. Ne me trupën nga Lucerni kemi udhëtuar dy herë për në Kosovë, Gjilan ndërsa vetëm grupi ynë drejtues ka marrë dhjetë herë këtë rrugë për të punuar me trupën e atjeshme”, shprehet Nina. Ndërsa njohjet e para mbi Kosovën ajo i ka nga kolegu i saj, aktori gjilanas që punon në Bazel, Ridvan Murati. “Me Muratin kam punuar në një projekt të përbashkët, ku e kemi lidhur edhe Kosovën, Gjilanin”, thotë Halpern.

Me Kosovën dhe shqiptarët nuk na lidh vetëm futbolli

“Ne kemi një komunitet prej një çerek milioni shqiptarësh nga Kosova që jetojnë në Zvicër dhe, përveç në lidhje me futbollin, nuk kemi shumë pika takimi me ta. Nisur nga kjo, unë mendova se do të ishte mirë që të bëjmë edhe teatrin një pikë të tillë takimi në mes të dy komuniteteve. Ky projekt ka treguar se takimet, lidhjet ndërkulturore janë të mundshme dhe mund të kenë sukses. Përkundër ndryshimeve kulturore në mes të dy trupave, ato funksionojnë shumë mirë në skenë”.

Ndërsa lidhur me sjelljen e trupës kosovare në Zvicër ajo e tregon për albinfo.ch edhe këtë detaj shumë domethënës: “Pasi që për të kërkuar vizat duhet të kesh të deponuar si garanci një shumë të madhe të hollash (30 mijë franga) që ne nuk i kishim, e bëmë një sakrificë: e vumë si peng ekzistimin e teatrit tonë! Për fat gjithçka  shkoi mirë dhe nuk u detyruam të heqim dorë nga posedimi i teatrit”.

Njëra ndër aktoret  nga trupa zvicerane, Xenia Bertschmann thotë se ka qenë dy herë në Kosovë gjatë përgatitjeve për shfaqjen. Prej atje bart përshtypje shumë pozitive dhe ajo që i ka lënë mbresat më të mira është mikpritja dhe përzemërsia e njerëzve. Sigurisht Xenia, i njeh shqiptarët edhe nga Zvicra por vizitat në Kosovë kanë qenë diçka më impresionuese. “Ushqimi është shumë i mirë, ndoshta mishi përdoret pak me tepri, por në përgjithësi jam ndarë shumë e kënaqur me qëndrimin atje”, thotë Xenia për albinfo.ch. Ajo, gjatë qëndrimit të trupës nga Gjilani në Zvicër ka pasur mysafire në shtëpinë e saj aktoren që luan rolin kryesor, atë të Lumturisë, Rita Sermaxhajn. Kjo e fundit shprehet shumë e lumtur me mikpritjen dhe gjithë trajtimin që ka pasur gjatë këtyre dy javëve të qëndrimit në Zvicër.

Rita tregon për albinfo.ch se, ndryshe nga kolegët tjerë, ajo ka pasur rastin të vinte në Zvicër edhe më parë, në vizitë te familjarët. “Por vizita e tashme ka pasur diçka të veçantë. Ka qenë ndoshta përvoja më e mirë që kam kaluar deri tash në jetë. Familja e Xenias është treguar shumë e dashur ndaj meje dhe ma zëvendësonte familjen”. Ajo tregon se i është bashkuar më vonë trupës ndërsa fakti se tash ka rolin kryesor dhe ka pasur fatin të vijë në Zvicër, e sheh si një rast fatlum për të.

Gjina Salihu-Berisha është një ndër (pak) shqiptarët që kishin ardhur për të parë shfaqjen. Duke ardhur edhe vetë nga fusha e arteve, Gjina shprehet e impresionuar nga shfaqja. “Ka qenë një përjetim shumë i këndshëm artistik. E gjithë shfaqja si ide dhe si realizim është realizuar në nivel të lartë. Për mua ka qenë skenë shumë e arrirë ajo që e vë në lojë burokracinë absurde të kërkimit të vizave, si kusht  për udhëtim të kosovarëve”, thotë ajo për albinfo.ch. Megjithatë, Gjina mendon se ka ndonjë moment brenda shfaqjes që nuk i ka shpëtuar paragjykimeve të njohura ose klisheve mbi shoqërinë shqiptare. “Këto klishe nuk pasqyrojnë realitetin e sotëm kosovar dhe shqiptar”, mendon Gjina Salihu-Berisha.

Shfaqja, telegrafikisht

Regjia: Nina Halpern

Dramaturgjia dhe produksioni: Selina Beghetto

Muzika: Lisa Brunner

Bashkautore e tekstit: Fjolla Hoxha

Trajnimi i aktorëve: Gian Leander Bättig

Eksperte e fatit: Maria Berini

Dritat: Markus Güdel

Grafika: Neve Regli

Aktorët:   Vlerë Arifi, Xenia Bertschmann, Sarah Bisang, Adriana Gisler, Elena Hajdari, Joelle Iten, Albina Leka, Lea Martin Kohler, Enya Müller, Etrit Neziri, Robert Pacolli, Maximilian Preisig, Ritë Sermaxhaj, Moritz Sute./Albinfo.ch

Fotolajm

Pandat gjigante mbushin 1 vjeç në Makao
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Stealth Sniper
  • Play Rock Wheels
  • Play Urban Basketball
  • Play Bubble Trouble