Të zënë ne befasi: Edhe një herë

Jemi në vitin 2015. Dhe ne, siç po shihet, si komb, si Kosovë dhe si Shqipëri, nuk po dimë sa dhe si duhet ta menaxhojmë as rritën tonë politike, më të madhen në histori.

Opinion

14/05/2015 10:25

Thuhet që në Ballkan, në këto anë të Evropës, sherri mund të pëlcasë edhe për gjërat më të kota të mundshme, me pasoja të paparashikueshme për sigurinë e të gjithëve, sepse është vështirë të mbërrihet pajtimi politik për çështjet themelore politike.

E moçmja e Churchillit për një Ballkan që prodhon më shumë histori se sa mund ta bluajë a të absorbojë, në rrethanat e tanishme, lexohet edhe si produktivitet i lartë i problemeve politike, ekonomike dhe sociale, prej atyre që janë zgjedhë prej qytetarëve për t’i pakësuar dhe zgjidhur ato.

Për çdo problem ka zgjidhje. Kështu mendojnë Amerikanët dhe Evropianët.

Për çdo zgjidhje ka problem. Kështu mendohet në këtë anë të Ballkanit.

Sidoqoftë, të gjithë ne, në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni dhe në Serbi, mbase, e kemi të pamundur t’i ikim dakordimit për një konstatim fare të thjeshtë: Jemi në muajin maj, viti është 2015. Të gjithë ne ia kemi mësyrë të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian, pos Serbisë, edhe të Paktit NATO. Të gjitha këto shtete bëjnë be pesëdhjetë herë në ditë në demokraci, në sundim të ligjit, në ekonominë e tregut, në mirëqenien e qytetarëve të tyre. Të gjitha këto vende kanë institucione legjitime, të dala nga vota e lirë.

Si mund atëherë të vihen në një rrafsh, në të njëjtën peshore, të gjitha këto tipare tashmë ekzistuese apo edhe të synuara të këtyre shteteve, me ngjarjet e fundjavës në Kumanovë, me pamje që ishin të huazuara apo të kontrabanduara, nga vitet 1999-2001? A nuk ka ndodhë gjë prej gjëje në ndërkohë? Apo, realiteti i cili është krijuar në pesëmbëdhjetë vitet e fundit, nuk korrespondon me pretendimet e politikës të këtyre shteteve, madje, as me versionet më kritike të cilat shfaqen me Raportet e Progresit që për çdo vjeshtë kumtohen nga Brukseli? Edhe nëse e tëra na paska qenë inskenim, i kujtdo qoftë, si mund të bëhet diçka e tillë tash, në këto rrethana, kur e vërteta zihet fare lehtë edhe me një smartphone, dhe kur politika ka nisë të marr trajtën, pothuaj kudo, e një emisioni televiziv ‘Big Brother’ (të reality show), ku gjithçka shihet, në mënyrën më transparente të mundshme?

Si të papjekura, të paqëndrueshme, të mbushura me emocione të kota kinse-patriotike, të ngulfatura në gabime të të gjitha llojeve, mbi të gjitha, në ato që shquajnë korrupsionin, mund të klasifikohen elitat politike të këtyre shteteve. Lajmet si këto të Kumanovës, janë ‘dhuratë prej Zotit’, për të shpërqendruar vëmendjen prej dështimeve shumëdimensionale të politikave në këto shtete, për t’i veshë fanellat kombëtare, dhe për ta kthyer në një fushëbetejë politike/ sportive, gjithë jetën shoqërore, kur dihet kush jemi ‘Ne’ dhe kush janë ‘Ata’, dhe kur e tëra çka duhet bërë është të kthehesh në një tifoz të flaktë kombëtar. Megjithatë, problemet e krijuara dhe të grumbulluara me një zell të pashoq, nuk i druajnë fare këtij tifozllëku dhe këtij shpërthimi emocionesh pseudo-atdhetare, të cilave më së shumti u kontribuojnë politikanët me deklarata të zjarrta, të cilat kanë si pasojë praninë e etheve në barkun e qytetarëve të rëndomtë të këtyre shteteve.

Politikat e këtij lloji, marrin ‘kredi’ të shumta politike dhe financiare, me synim të vetëm të mbijetesës, ndërsa ‘borxhi’ në fund do të paguhet prej qytetarëve të thjeshtë.

Ne, në Kosovë, duhet të kuptojmë një herë e përgjithmonë që koha e Projekteve politike kombëtare ka marrë fund një herë e përjetë, me 17 shkurtin e vitit 2008. Nuk kemi çka të kthehemi në vitet 1998, 1999, a 2001, për të kërkuar modelet e veprimit si politikë, sepse në atë rast, do ta vëmë në rrezik edhe vetë vitin 2008, kur u përmbush, në plotëni  (le të përsëritet, një herë e përgjithmonë), synimi ynë si shqiptarë të Kosovës.

Qëndrueshmëria afatgjatë e shtetit të Kosovës, varet gjithsesi edhe nga fqinjësia e mirë me të gjitha shtetet përreth, edhe nga stabiliteti dhe siguria e mbarë rajonit, dhe pa këto veçori, as në ëndërr nuk mund të shohim bashkimin e Kosovës me shtetet e tjera në organizimet shumëkombëshe, çfarë janë Pakti NATO dhe BE-ja.

Jemi në vitin 2015, pra. Dhe ne, siç po shihet, si komb, si Kosovë dhe si Shqipëri, nuk po dimë sa dhe si duhet ta menaxhojmë as rritën tonë politike, më të madhen në histori.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)