Të shtëna në një shkollë në SHBA, 2 të plagosur, vritet agresori

Të shtëna me armë zjarri janë raportuar në lokalin e shkollës së mesme “Marysville Pilchuck”, në Uashington, rreth 10:45 të paradites së të premtes. 

Bota

24/10/2014 22:30

Policia bëri të ditur se një student, i cili sipas tyre besohet të ketë hapur zjarr brenda shkollës, ka vdekur për shkak të një plage të vetëshkaktuar nga arma e zjarrit.

Të paktën 2 të tjerë janë plagosur dhe janë transportuar përmes ajrit në Qendrën Mjekësore të Harborview, në Seattle.

Burime të tjera mediatike thonë se të paktën 6 persona janë plagosur, ndërkohë që ambulanca të shumta, makina policie dhe mjete të emergjencave janë gjendur menjëherë në vendngjarje.

“Ka më shumë polica nga ç’mund të kishim parë ndonjëherë në jetë”, tha një banor i zonës për “Huffington Post”. Një student i paidentifikuar tha për CNN se të shtënat nisën në lokalin e shkollës.

Ndërsa edhe autoritetet arsimore të Marysville kanë publikuar një deklaratë, ku thuhet se “shkolla e Pilchuck është e bllokuar për shkak të një situate emergjente, së cilës i janë përgjigjur policia dhe shërbimet e urgjencës. Gjendja do të vijojë e tillë deri kur të jepet njoftim i dytë nga zbatuesit e ligjit, ndërsa ne do të vazhdojmë komunikimin e pandërprerë me ta. Studentët që ndjekin kampusin MPHS janë transferuar në kishën e Komunitetit “Shoultes”, ndërsa nga aty do të transferohen për në shtëpi me autobusë. Prindërit e ndodhur në vendngjarje duhet të drejtohen për në kishë për të nxjerrë fëmijët e tyre, pasi të marrin konfirmimin e administratorit të shkollës apo zbatuesve të ligjit”. / Top Channel