Të rinjtë e Kosovës nuk shohim perspektivë, synojnë largimin drejt Evropës

Largimi i të rinjve nga Kosova nuk ka të ndalur. Kosova një vend i vogël Ballkanik me 1.8 milion banorë dhe me moshën mesatare të popullsisë më të re në Evropë, përballet edhe me shkallë të lartë të papunësisë, por edhe me mungesën e perspektivës për të rinjtë.

Lajme

23/12/2017 20:27

Valiant Ramosaj, është një i ri kosovar, i sapodiplomuar në Universitetin e Prishtinës, drejtimi “sistemi bankar”. Ai punon në një bankë, por synimet e tij për të ardhmen janë të tjera.

“Unë kam aplikuar në Universitetin e Vjenës, drejtimi informatikë ekonomike dhe jam pranuar dhe jam në pritje të marrjes së vizës që të largohem nga këtu. Nuk e kam gjetur perspektivën në Kosovë, thjesht jam një person që vazhdimisht kërkoj dhe mendoj se në Evropën perëndimore mund ta gjej vetën. Kam provuar ta gjej vetën edhe në Kosovë, por jo”.

Valianti thotë se gjatë studimeve në Prishtinë, në Universitet mësohet vetëm teori, nuk ka asnjë lloj praktike.

“Shembull, unë jam ekonomist, llojet e kredive që i mësojmë në Universitet nuk kanë të bëjnë asgjë me kohën e sotme, tash është ndryshe me zhvillimet teknologjike”. “Unë punoj në një Bankë në Prishtinë, por pavarësisht se kam qenë student i dalluar, mendoj se vetëm kam pasur fat që pas studimeve jam punësuar në një Bankë, sepse kam shumë kolegë të mi që kanë qenë studentë të dalluar, por sot janë të papunë. Synimet e mia janë që në Austri të vazhdojë studimet për master dhe të mbetem atje edhe në të ardhmen. Nuk mendoj të kthehem në Kosovë. E flas gjuhën gjermane, jam pranuar në Universitetin e Vjenës, mendoj se mund të integrohem lehtë dhe nuk kam asnjë arsye që mos të qëndrojë në Austri”.

Problem për studentët kosovar vazhdon të jetë marrja e një vize studimi. Pavarësisht që shumë të tillë janë pranuar nëpër Universitete të ndryshme evropiane, vonesa e vizës u ka vështirësuar planet. Me një problem të tillë përballet edhe Valianti 24 vjeç.

“Në fakt një semestër në Vjenë më ka humbur për shkak që akoma nuk kam vizë, sepse kërkesa për termin është shumë e madhe, por, Universiteti austriak e ka mirëkuptuar pozitën time dhe më kanë dhënë edhe një mundësi, sapo të vendosem në Vjenë”.

Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk gëzon lirinë e lëvizjes së lirë. Besfort Ahmeti, është një tjetër i ri kosovar i sapodiplomuar, inxhinier i informatikës, por është i papunë. Ai thotë se ka një vit që kërkon punë në Kosovë, por nuk gjen.

“Deri më tash po besoj që kam aplikuar për punë në 30 ndërmarrje të ndryshme, por, pothuaj në të gjitha kushti kryesor ishte përvoja e punës. Unë natyrisht që nuk kam përvojë, sepse jam i sapodiplomuar dhe kam nevojë për punë. Dhe askund nuk pranohesha. Thjesht në Kosovë duhet ta kesh një lidhje të fortë diku, që të pranohesh në punë”.

Besforti i ndodhur në këtë situatë zhgënjyese për të, ka gjetur një bursë studimi, ka vendosur që të aplikojë për vazhdimin e studimeve master jashtë Kosovës, me synimin që t’i përfundojë ato, ta gjejë një punë dhe të mos kthehet në Kosovë. Ai është pranuar për vazhdimin e studimeve postdiplomike në një Universitet të Vjenës.

“Po t’i përfundoj studimet master në Universitetin e Vjenës, atëherë mendojë që kam më shumë mundësi që të gjej një punë të mirë në profesionin tim. Nëse gjej një punë të mirë, nuk do të kthehem në Kosovë. Kam jetuar si fëmijë dy vjet e gjysmë në Gjermani gjatë periudhës së luftës, kam lidhje emocionale për botën gjermanofolëse, mendoj se integrohem shumë lehtë dhe thjesht vetëm nëse nuk mundem, sepse në të kundërtën nuk do të kthehem në Kosovë”, shprehet me plotë shpresë Besforti.

Besforti së bashku me prindërit dhe vëllain e vogël gjatë periudhës së luftës së Kosovës ka jetuar dy vjet në Gjermani. “Gjatë vitit 1998-99 së bashku me familjen kemi qëndruar në Gjermani dhe pas përfundimit të luftës, babi në mënyrë vullnetare është kthyer në Kosovë. Por, po ta pyesësh tash, babi është penduar që është kthyer. Atëherë kam qenë shumë i ri, babi nuk me ka pyetur kur ka vendosur që të kthehet në Kosovë, por, tash që vendimet për të ardhmen time i marr vet, unë kam vendosur që ta provojë fatin në Austri, ose pse jo edhe në Gjermani”.

Por, si e shpjegojnë sociologët fenomenin e largimit të rinjve kosovar nga vendi, sidomos të kuadrove të shkolluar? Artan Muhaxheri është sociolog, profesor në një nga Universitetet kosovare.

“Të gjitha vendet e Ballkanit, gjithmonë janë përballur me trendin e migrimit, qoftë legal qoftë ilegal, por Kosova në këtë mes është rast me specifik, për faktin që ka popullsinë më të re në Evropë dhe institucionet e Kosovës nuk kanë ide dhe nuk kanë kapacitete të përballen me këtë potencial të fuqisë së re punëtore. Pra, nuk ka vende të punës, nuk ka investime të huaja, dhe rrjedhimisht nuk ka përgjigje institucionale të aspektit demografik të Kosovës”, shprehet Artan Muhaxheri.

Në Kosovë çdo vit rreth 30 mijë të rinj hyjnë në tregun e punës, ndërsa në anën tjetër as për së afërmi nuk hapen 30 mije vende të reja pune. Për këtë arsye në Kosovë niveli i papunësisë rritet, cdo vit. “Për këtë arsye mundësia për të punuar legalisht në vendet evropiane tash është e madhe dhe kjo është një joshje shumë e madhe për rininë kosovare. Institucionet e Kosovës për fat të keq mbesin vetëm në nivelin retorik, nuk ka strategji që do të ishte premtuese për rininë se do të përmirësohet niveli i punësimit, prandaj edhe migrimi legal është jashtëzakonisht joshës për rininë”, shprehet Muhaxheri.

Papunësia në Kosovë kohët e fundit ka shënuar rritje. Vetëm gjatë nëntë muajve të këtij viti papunësia është rritur me 2.9 për qind, bën të ditur agjencia e statistikave të Kosovës. Shkalla e papunësisë në Kosovë llogaritet të jetë mbi 35 për qind. /DW/