Të rinjtë e AAK-së thirrje ndërkombëtarëve: Na ndihmoni, qeveria s’është në rrugën e duhur

Të rinjtë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë mbajtur një aksion simbolik në sheshin kryesor të Prishtinës, ku kanë kundërshtuar ndalimin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj dhe kanë kërkuar nga shtetet mike të Kosovës përkrahje, pasi Qeveria e Kosovës është në rrugë jo të duhur.

Lajme

21/02/2017 13:22

Diellza Hoti, kryetare e të rinjve të AAK-së, ka thënë se qëllimi i këtij aktiviteti është sensibilizimi i faktorit ndërkombëtar që Kosova nuk është në rrugën e duhur me këtë qeveri.

“Sot jemi mbledhur për një aktivitet simbolik, qëllimi është ta sensibilizojmë faktorin ndërkombëtar që Kosova nuk është në rrugën e duhur. Vlerësojmë punën e shteteve fqinje që kanë dhënë për neve dhe presim ende përkrahje nga ta pasi qeveria jone nuk është e duhur”, ka thënë Hoti, raporton lajmi.net.

Në këtë aktivitet ata kanë kërkuar lirimin e Haradinajt, që është duke u mbajtur në Francë nga një flet arrest të Serbisë, pasi kjo e fundit pretendon se ish0kryeministri i Kosovës ka kryer krime lufte, gjë për të cilën Haradinaj është gjykuar dy herë në Hagë dhe është shpallur i pafajshëm.

“Kërkojmë lirimin e Haradinajt i cili po mbahet padrejtësisht. Bëjmë apel ndaj faktorit ndërkombëtar që t’i ndalojë marrëveshjet e dëmshme për Kosovën siç është demarkacioni”, ka thënë Hoti.

Aktiviteti në sheshin Nënë Tereza ka vazhduar me pankarta në dorë, ku të rinjtë e AAK-së kanë kërkua lirimin e Haradinajt./Lajmi.net/