Të prekurit me sindrom Down të margjinalizuar në shoqërinë kosovare

Personat e prekur me sindromin Doën vazhdojnë të jenë më të margjinalizuarit në shoqërinë kosovare. E në mënyrë që ata të jenë të barabartë në shoqëri, kërkohet kontributi i institucioneve por edhe i të gjithë atyre që i rrethojnë.

Lajme

19/05/2014 14:42

Personat e prekur me sindromin Down vazhdojnë të jenë më të margjinalizuarit në shoqërinë kosovare. E në mënyrë që ata të jenë të barabartë në shoqëri, kërkohet kontributi i institucioneve por edhe i të gjithë atyre që i rrethojnë. 

Me qëllimin që shoqëria të vetëdijesohet se të rinjtë e prekur me sindromin Down, janë të aftë dhe mund të jenë pjesë e artit, Organizata Green Art Center (GAC)- Prishtina, në bashkëpunim me Down Syndrome Kosova(DSK), në kuadër të projektit I Want Art, ka ekspozuar në sheshin “Zahir Pajaziti” punimet dhe aksesorët e krijuara nga të rinjtë e degës të DSK-së në Prishtinë, e mjetet të cilat do grumbullohen nga shitja e këtyre punimeve, do të përdoren për zhvillimet e aktiviteteve të shoqatës DSK. 

Merlina Bau-Muqaj, drejtoreshë e GAC-it, tha se të rinjtë e DSK-së përmes ligjëratave dhe punëtorive që kanë zgjatur për tre muaj me radhë, janë mësuar të bëjnë elemente dekorative dhe artistike dhe gjithashtu, që janë atraktive dhe tërheqëse edhe për tregun. 

Ajo përgëzon edhe këta të rinj për vullnetin e tyre që kanë shfaqur gjatë punëtorive. 

Ajo u bënë thirrje të gjitha institucioneve dhe shoqërisë, që këta fëmijë t`i përkrahin në maksimum, pasi që sipas saj, nëse këta fëmijë rriten, edukohen dhe u ipet vëmendje e madhe, ata mund të rriten njësojë si të gjithë. 

E drejtoresha e qendrës Down Syndrome Kosova, Sebahate Hajdini Beqiri, thotë se nuk është e mjaftueshme përkrahja deritanishme e institucioneve, duke marr parasysh nevojat e të prekurve me sindromin Down. 

Sipas saj ky komunitet, akoma është i margjinalizuar. 

Megjithëkëtë, ajo tha se përmes aktiviteteve që janë duke u organizuar për këta fëmijë, ata po shfaqin gjithmonë e më shumë potencialin që kanë.

 Ndryshe, qendrat e Down Syndrome Kosova, nga shkurti kanë filluar me kampanjën “Ndihma Vjen Një nga Një’, në bashkëpunim me korporatën Rugove dhe kjo kampanjë vazhdon të jetë ende aktive.