Të përdhunuarat e luftës, thyhet heshtja pas 15 vjetëve

Mijëra gra shqiptare të Kosovës dyshohet se janë dhunuar nga forcat policore, ushtarake e paramilitare të Serbisë, në periudhën shkurt 1998 - qershor 1999. Ashtu si edhe për numrin e të vrarëve, Kosova nuk ka shifër të saktë as për të përdhunuarat e luftës.

Lajme

27/07/2014 11:31

Mediet vazhdimisht i referohen shifrës 20 mijë. Por kjo shifër nuk ka arritur të argumentohet me fakte nga asnjë organizatë vendore apo ndërkombëtare.

Për 15 vjet çështja e përdhunimeve është heshtur dhe mbajtur tabu nga institucionet dhe shoqëria. Ndërsa në dialogun që Kosova e ka zhvilluar me Serbinë, me ndërmjetësim të Brukselit, dhunimi i përdorur si armë lufte nga forcat serbe as që është shtruar si temë ndonjëherë, shkruan Koha Ditore.

Vetëm vitin e fundit ka filluar një aktivizim i shoqërisë dhe i institucioneve për të thyer heshtjen.

Është miratuar një ligj që e njeh statusin e të dhunuarave si viktima të luftës. Por, në të nuk parashihet mbulesë financiare për viktimat. Është formuar një Këshill Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës që udhëhiqet nga presidentja e shtetit, por roli i tij është vetëm këshillëdhënës.

Së fundmi është nënshkruar edhe një peticion me anë të të cilit kërkohet drejtësi ndërkombëtare për viktimat e dhunës seksuale në Kosovë, i cili do t’i dërgohet OKB-së, shkruan Koha Ditore.