Të paktën 22 të vrarë dhe 59 të plagosur nga shpërthimi në Angli

Të paktën 22 persona janë vrarë dhe 59 të tjerë janë plagosur nga një shpërthim jashtë një sallë koncertesh në Mançester, kanë thënë autoritet britanike, duke thënë se janë duke e trajtuar këtë rast si “incident terrorist”.

Bota

23/05/2017 08:31

Policia britanike beson se sulmuesi në Mançester ka bartur një pajisje të cilën e ka detonuar. Policia thotë se beson se sulmuesi ka vdekur në vendngjarje.

Shpërthimi ka ndodhur në orët e vona të së hënës, vetëm pak kohë pas koncertit të këngëtares amerikane, Ariana Grande.

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May ka thënë se autoritetet janë duke punuar për të kuptuar detajet e kësaj ngjarjeje.

Ne jemi duke punuar për të kuptuar të gjitha detajet e asaj që nga policia po trajtohet si një sulm i tmerrshëm terrorist”, ka thënë May përmes një deklarate për media.

Shërbimi i Emergjencës i Veri Perëndimit në Britani ka thënë se ka dërguar në spital 59 viktima të shpërthimit.

Dëshmitarët kanë thënë se kanë dëgjuar një “shpërthim të fuqishëm” rreth orës 21:45 të së hënës, teksa njerëzit ishin duke u larguar nga “Manchester Arena”, ku këngëtarja Ariana Grande kishte mbajtur koncert.