Të paktën 12 persona të vdekur pas të shtënave në Kaliforni

Policia ka njoftuar për “disa viktima” si pasojë e të shtënave në një lokal në Thousand Oaks në Kaliforni.

Bota

08/11/2018 12:25

Sipas raportimeve, të shtënat kanë filluar të mërkurën në orën 23:20 (ora lokale) në zonën që gjendet rreth 65 kilometra në veriperëndim të Llos Angjellesit.

Zyrtarët kanë konfirmuar që i dyshuari është i vdekur dhe kanë thënë se sulmi ka rezultuar me të paktën 12 viktima.

Sipas raportimeve, të paktën 200 persona kanë qenë brenda lokalit, meqë aty ishte organizuar një festë studentësh.

“Kur ndihmësit kanë arritur, ata kanë dëgjuar të shtëna të vazhdueshme, sepse sulmuesi ka qenë aktiv”, ka thënë zëdhënësi i Sherifit të qarkut Ventura, Eric Buschow.

“Ata kanë hyrë në lokal dhe mund t’iu them se ka viktima, të plagosur dhe në mesin e viktimave është edhe një ndihmës i Sherifit tonë që është përgjigjur në thirrjet fillestare, pa harruar edhe vrasësin”.

Sipas policisë, numri i të plagosurve pritet të rritet.

Dëshmitarët e kanë përshkruar momentin e sulmit, si skenë të panikut në lokal.

Njerëzit kanë thyer dritaret me karrige për të ikur dhe janë strehuar nëpër banjo.

Sipas raportimeve, sulmuesi mund të ketë përdorur të paktën një armë gjatë sulmit.