Të pafuqishëm dhe të frustruar

Jemi të bashkuar si politikanë të pozitës dhe të opozitës, si qytetarë të Kosovës, të gjithë ne, në një pafuqi dhe frustrim të paparë në këta tetë vjet të ekzistimit të shtetit të Kosovës.

Opinion

02/11/2016 11:24

Blerim Shala

Nuk mbahet në mend, në politikën kosovare që prej se Kosova është bërë shtet i pavarur, një demonstrim i këtillë i frustrimit dhe i pafuqisë i udhëheqësisë së vendit, siç ndodhi të premten e kaluar, në mbledhjen e Këshillit kombëtar të Presidentit të Kosovës për integrime evropiane.

Presidenti Thaçi, Kryeministri Mustafa, Kryeparlamentari Veseli, u bashkuan plotësisht, në fjalët e tyre, në shfaqjen publike të pakënaqësisë së madhe që izolimi i qytetarëve të Kosovës po vazhdon tutje nga BE-ja, dhe që vetëm Kosovës i është imponuar si kriter i veçantë për lirinë e lëvizjes shënjimi i kufirit me një shtet fqinj (me Malin e Zi).

Te tre prijësit zyrtarë të vendit ishin fare të qartë dhe të drejtpërdrejtë, duke kërkuar që të përfundojë izolimi i kosovarëve, dhe që edhe qytetarët e Kosovës të kenë të drejtë të udhëtojnë pa viza në Evropë, në Zonën e Schengen-it.

Nuk kishte këtu diplomaci. Thaçi, Mustafa dhe Veseli nuk iu shmangën thirrjes së ndjenjave të tyre, dhe artikuluan ‘shkurt dhe shqip’ bindjen për një padrejtësi që po u bëhet kosovarëve.

Në rrethanat e tanishme në Bruksel, ky shpërthim politik dhe emocional i Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit, nuk do të lë fare shenjë në instancat më të larta të BE-së.

Natyrisht, nuk janë vetëm Thaçi, Mustafa dhe Veseli pengje të frustrimeve dhe të pafuqisë gjithnjë e më të theksuar.

Subjektet politike opozitare, pos që në realitet, në masë të madhe ndajnë qëndrimet me lidershipin institucional karshi BE-së, kthejnë gishtin tregues të fajit edhe kah politika zyrtare e Kosovës që kosovarët nuk po mund t’i ndahen rreshtave të gjatë të pritjeve për marrje të një Vize për të udhëtuar në Evropë.

Derisa për udhëheqësit e vendit, fajtorët kryesorë për statusin e sotëm të izolimit të kosovarëve gjinden në Bruksel, për politikanët e opozitës, përgjegjësit për këtë gjendje mbi të gjitha janë vetë udhëheqësit e vendit. Ata edhe duhet të pësojnë politikisht.

Në anën tjetër, qytetarët e Kosovës, ata të zakonshmit, pa grada dhe pa status tjetër politik pos prej atij të një shtetasi të vendit dhe votuesit eventual në zgjedhje, frustrimet dhe pafuqinë e tyre në këtë çështje, e drejtojnë në të gjitha drejtimet e mundshme. Për ta, fajtorë janë si ‘tanët’  (politikanët e Kosovës, pa marrë parasysh se a janë në qeveri apo në opozitë), edhe ‘ata’  (evropianët), të cilët kanë përgatitur një kriter special për ne, për ta marrë liberalizimin e vizave.

Natyrisht, ata nuk mund dot të kuptojnë pse politikanët e vendit, si ata që i prinë institucioneve ashtu edhe ata që janë në opozitë, nuk mund të ulen dhe të merren vesh si t’ia bëjnë kësaj pune, apo, si të dakordohen që disi të përmbushet edhe ky kriter pa të cilin, vetëm në ëndrra mund të udhëtojnë pa viza në Evropë.

Ëndrrat nuk kërkojnë viza të tilla, apo jo.

Ndërsa ngjarjet e javës së shkuar, në këto relacionet në mes të qeveritarëve dhe opozitarëve dëshmuan që nuk pati vullnet për dakordimin e përmbajtjes së një Deklarate të përbashkët për këtë temë, fare të përgjithësuar, e cila nuk kryen punë dot në Bruksel, e lëre më për diçka më shumë.

Jemi të bashkuar pra, si politikanë të pozitës dhe të opozitës, si qytetarë të Kosovës, të gjithë ne, në një pafuqi dhe frustrim të paparë në këta tetë vjet të ekzistimit të shtetit të Kosovës.

Nuk ia vlen shumë të merremi me cilësimin e këtij kriteri (të shënjimit të kufirit të Kosovë me Malin e Zi), i cili i është përgatitur Kosovës. Tek e fundit, ky vlerësim, pa marrë parasysh prej kujt bëhet, nuk do të ndryshojë gjë në rrjedhën e këtij relacioni të Kosovës me BE-në.

Si qëndrojnë punët tani, vështirë është të pritet që do të mbërrihet marrëveshja e  politikanëve vendorë e cila do të mundësonte përmbushje e këtij kriteri. Por së paku në këtë çështje, as zgjedhjet e reja nuk do të mund të krijojnë rrethana më të volitshme për Ratifikimin e Ligjit në fjalë. Deputetët e legjislacionit të radhës, (pas zgjedhjeve të reja), mbase, të të gjitha subjekteve që do të hynë në Kuvend,  do të mund të thonë që nëse deputetët e mëparmë nuk i kanë dalë zot kësaj sprove, ata nuk kanë vullnet për tu marrë fare me këtë temë.

Duket që qorrsokaku është pikëmbërritja e të gjithë neve. Së paku në këtë çështje.