Të ndalohet fushata e Vulin

Anëtari i KQZ’së Florian Dushi bën thirrje që t’i ndalohet Vulinit të bëjë fushatë në Kosovë në favor të subjektit që e mbështet Beogradi zyrtar.

Lajme

30/09/2013 20:14

Anëtari i KQZ’së nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Florian Dushi, i bën thirrje KQZ’së dhe Qeverisë së Kosovës t’ia ndalojnë Vulinit që të bëjë fushatë në Kosovë në favour të subjektit politik të cilin e mbështet Qeveria e Serbisë.

Gjatë paraqitjeve të tij publike, Vulin ka shantazhuar banorët serbë me ndalesë të pagave nga Serbia nëse ata nuk votojnë “Listën Qytetare Serbe”.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve por edhe institucionet e tjera relevante në Republikën e Kosovës duhet të reagojnë dhe ta ndalojnë aktin e paprecedent të interferimit të Qeverisë së Serbisë përmes ministrit të saj pa portfol por të “uniformuar”, Aleksandar Vulin, në fushaten parazgjedhore në vendin tonë”.

“Kjo sjellje perveç që është shkelje flagrante e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, është në kundërshtim edhe me konventat ndërkombëtare dhe parimin e fqinjësisë së mirë”.

“Ky ministër, me uniformë të zezë, uniforme te cilën shqiptarët e kanë parë që më parë në keto troje, përveç tjerash po tenton që, përmes kërcënimeve dhe shantazheve, ta detyrojë komunitetin serb në Republikën e Kosovës që të votojë për listën produkt të Qeverisë së Serbisë, Listën Qytetare “Srpska””.

“Kjo praktikë e ndërhyrjes së një qeverie të një shteti fqinj në fushatat e brendshme parazgjedhore është e panjohur në praktikat ndërkombëtare dhe krejtësisht e papranueshme për shtetet normale”, ka shkruar Dushi në Facebook.