Të motivohen serbët ta pranojnë Kosovën

Eurodeputeti Jelko Kacin i bënë thirrje Beogradit që t’i motivojë serbët e Veriut që të inkuadrohen në institucionet e Kosovës. Ai thotë se kjo është në të mirë të zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Lajme

23/11/2013 09:55

Deputeti i Parlamentit Europian Jelko Kacin ka thënë se disa nga marrëveshjet e arritura në Bruksel në mes të Prishtinës dhe Beogradit kanë filluar të zbatohen.

Raportuesi për Serbinë në këtë institucion europian ka thënë për të përditshmen beogradase Danas, se ka filluar së zbatuari marrëveshja për integrimin e policëve serbë në Policinë e Kosovës.

“Beogradi duhet të sigurohet se të gjithë policët, por edhe shërbyesit e tjerë shtetërorë, të jenë të informuar me të drejtat dhe mundësitë e tyre të cilat i garantohen nga marrëveshja e Brukselit”.

“Vetëm një pjesëtar i komunitetit serb është lajmëruar në konkursin e Policisë së Kosovës. Njerëzve u duhet motivim për të pranuar mundësi  dhe vende pune të reja dhe me këtë, t’i sigurojnë vetes një të ardhme më të mirë në Kosovë”.

Kacin ka bërë të ditur se, disa nga strukturat e Serbisë janë larguar nga territori i Kosovës.

“Me miratimin e Ligjit për Rrjetin e Gjykatave, de fakto kanë larguar gjykatat e Serbisë në Kosovë. Megjithatë, Prishtina dhe Beogradi do të duhej që të bëjnë më shumë përpjekje për të larguar krimin e organizuar në Veri të Kosovës, i cili është instaluar atje për vite me radhë, duke krijuar një vakum ligjor”, ka thënë Kacin.