Të mbijetuarit nga aksidenti në Tivar, jashtë rrezikut për jetë (foto-video)

Udhëtarët nga Shqipëria që u aksidentuan mbrëmjen e së premtes në Urën e Mërkotit në Tivar të Malit të Zi do të kthehen në vendlindje një nga një. 

Lajme

27/12/2014 10:42

“News 24” ka intervistuar mbrëmë në këtë spital, Ministrin e Shëndetësisë së Shqipërisë, Ilir Beqaj, që i ka vizuar 32 të lënduarit, prej të cilëve dy në gjendje më kritike, por gjithsesi, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Ata ishin turistë nga të gjithë rrethet e Shqipërisë dhe kishin vizituar Dubrovnikun për tre ditë. Vajza që humbi jetën quhej Orenca Kuca.

Beqaj njoftoi se sot në orën 10:00, mjekët malazezë dhe ata shqiptarët të ardhur nga Tirana, janë mbledhur për të vendosur se cili prej tyre mund të kthehet në Shqipëri me mjetet e veta dhe cili me autoambulancë.

Gazetarja e “News 24”, Eliona Kodra, intervistoi edhe një nga udhëtarët, Ledoi Qaniun, që nuk kishte pësuar lëndime. Ai shpjegoi se autobusi u rrëzua pasi iu desh t’i hapte rrugën një automjeti tjetër që vinte nga mbrapa.

FLET LEDIO QANIU, NJË NGA UDHËTARËT, QË NUK U LËNDUA

“Shoferi donte të haptë krahun për një makinë që kishim nga mbrapa për parakalim. Bëri në krah të djathtë. Jo se kishte shumë faj, s’kishte çfarë bënte dhe shoferi…I rrëshkiti goma e djathtë e pasagjerit dhe mori saltro dy-tre herë. Nuk ishim me shpejtësi. Ishim shumë ngadalë. Unë isha dy sedilje prapa shoferit. Autobusi qe plot, ishim në Dubrovnik tre ditë. Ishim nga të gjitha rrethet.”

BEQAJ: PËRVEÇ NJË HUMBJEJE JETE, TË TJERËT JASHTË RREZIKUT PËR JETËN, NISIM KTHIMIN

Ministri Beqaj tha: “ Ne jemi vënë në kontakt të menjëhërshëm me autoritetet kompetente malazeze, në bashkëpunim me ambasadën tonë në Podgoricë. ndërkohë, përveç një humbjeje jete tragjike, të lënduarit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën. Një është transportuar për në spitalin e Podgoricës, të tjerët janë këtu. dy prej tyre kanë dëmtime jo të lehta, por përsëri janë jashtë rrezikut për jetën.

Dua të shfrytëzoj këtë mundësi për të falënderuar autoritetet policore malazeze e sidomos ato shëndetësore në spitalin e Tivarit, për ndihmën shumë të mirë që dhanë, gjë që e pashë vetë por edhe ma thanë me gojën e tyre, të lënduarit.

Të shtunën, në orën 10:00, kolegjiumi i mjekëve do të bëjë një vlerësim të gjendjes. Kemi marrë masat – një pjesë e drejtuesve tanë do të jetë këtu – për të vendosur se kush nga të lënduarit do të transportohet vetë, sepse nuk kanë probleme dhe kush me autoambulancë,” – përfundoi ministri.

FLET ZORAN SRZENTIQ, KRYETAR I KOMUNES TIVAR

Kryetari i komunës së Tivarit, Srzentiq tha: “Të gjithë janë në gjendje të mirë. Kemi një pacient të gjinisë femërore, e cila ka pasur edhe thyerje brinjësh, edhe demtime të tjera të zgavrës së kraharorit, për ç’ka e kemi dërguar në qendrën klinike në Podgoricë për trajtim më të specializuar dhe gjendja e saj është e mirë. Aktualisht kemi 32 pacientë, prej të cilëve 3 me fraktura, por jashtë rrezikut për jetën. Mendoj se pjesa më e madhe e tyre, mëngjesin e së shtunës do të jenë të lirë për t’u larguar nga spitali. Mbas kolegjiumit të mjekëve do të marrim vendim nëse personat me lëndime më të rënda do të qëndrojnë këtu deri të hënë apo do largohen”.