Të jetosh me Çernobilin, plaku që ka sfiduar vdekjen (Foto)

Për 90-vjeçarin Ivan Shamianok, sekreti i një jete të gjatë është të mos e braktisësh vendlindjen, edhe kur bëhet fjalë për fshat bjellorus të ndotur nga mbetjet radioaktive pas një katastrofe bërthamore.

Bota

17/04/2016 21:44

Më 26 prill 1986, një test i dështuar në një impiant nuklear në Çernobil të Ukrainës – asokohe pjesë e Bashkimit Sovjetik – dërgoi re gjigante mbi qiellin e një pjese të mirë të Evropës, duke detyruar më shumë se 100 mijë njerëz të braktisnin një zonë me ndotje të përhershme përgjatë kufirit mes Ukrainës dhe Bjellorusisë.

Tulgoviçi, fshati i Shamianokut, gjendet rrëzë kësaj zone prej 2600 kilometrash katrorë, afërsisht sa sipërfaqja e Luksemburgut. Por i moshuari dhe bashkëshortja e tij nuk pranuan të zhvendoseshin dhe asnjëherë nuk ndien ndonjë efekt në shëndet nga rrezatimi.

Çernobili (5)

“Deri tani gjithçka në rregull. Mjekët erdhën dje, më shtrinë në krevat dhe më kontrolluan. Më thanë ‘je top fare, gjysho’”, thotë Shamianok në një reportazh për “Reuters”-in. “Ime motër jetoi këtu bashkë me të shoqin. Ata vendosën të largoheshin, por shpejt ndërruan jetë… vdiqën nga ankthi. Unë ia marr ndonjë kënge, punoj në kopsht… i marr gjërat lehtë dhe jetoj”.

Në prag të përvjetorit të 30-të, vazhdojnë ende debatet rreth pasojave reale të një prej katastrofave më të mëdha të këtij lloji në histori. Menjëherë pas shpërthimit u regjistruan 31 të vdekur, por shumë e shumë të tjerë ndërruan jetë më pas si pasojë e sëmundjeve që lidhen me rrezatimin, sikundër është kanceri.

Plaku Shamianok thotë se jeta e tij nuk pati ndonjë ndryshim të madh pas fatkeqësisë së Çernobilit. Ai dhe familja e tij vazhduan në konsumonin fruta e perime të mbjella në kopshtin e tyre, si dhe rritën lopë, dera e zogj për mish, bulmet e vezë.

Çernobili (4)

Tani që e shoqja i ka vdekur dhe fëmijët janë larguar, Ivani dhe nipi i tij që jeton në anën tjetër të fshatit, janë të vetmit që kanë mbetur.

Shamianok bën një jetë të qetë. Ai zgjohet në 06:00 kur himni kombëtar luhet në radio, ndez sobën për të përgatitur mëngjesin dhe ushqen derrat e qenin. Një dyqan i lëvizshëm në i improvizuar në pjesën e pasme të një kamioni, vjen në fshat dy herë në javë, kurse të shtunave mbesa e Shamianokut vjen i gatuan për javën dhe ia pastron shtëpinë.

Plaku thotë se nuk ka asnjë problem me shëndetin, por ndonjëherë merr ilaçe dhe pi një gotë të vogël vodka para se të hajë, “për të hapur oreksin”.

Çernobili (3) Çernobili (6)

Çernobili (1)