Të interesuar po, por nuk aplikon askush për bankë në Kosovë

Aktualisht në Kosovë operojnë 10 banka komerciale dhe përbëjnë 67.5 për qind të aseteve totale të sektorit financiar. Industria bankare në Kosovë, karakterizohet nga veprimtaria e degëve të bankave të huaja dhe shumë pak banka vendore.

Lajme

17/02/2019 19:11

Rritja ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2018 shënoi një normë reale të rritjes prej rreth 4%, e mbështetur kryesisht nga rritja e kërkesës së  brendshme, përderisa thellimi i deficitit tregtar kishte ndikim negativ në normën e rritjes. Në kuadër të faktorëve me ndikimin më të rëndësishëm në financimin e rritjes ekonomike ishin përshpejtimi i rritjes së kreditimit për sektorin privat.

Megjithëkëtë, Kosova nuk po shihet si vend me leverdi për investime në sistemin bankar.

Ka vite që në Kosovë nuk është hapur asnjë bankë e re.

Kushtrim Ahmeti,  zëdhënës i Bankës Qendrore të Kosovës ka thënë për lajmi.net se ka pasur të interesuar në vitet e fundit për licencim bankar, por deri më tash nuk ka aplikuar askush.

“Gjatë periudhës 2017 – 2018, në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës ka pasur palë të interesuara për licencim bankar. Por, BQK-ja nuk ka pranuar aplikacion për licencim bankar në dy vitet e kaluara”, tha Ahmeti.

Ai nuk ka treguar se a kanë qenë vendor apo të huaj të intersurit për sektorin bankar. Por, për t’u hapur një bankë në Kosovë, sipas Ligjit nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Kosovës, “gjatë procesit të themelimit dhe para marrjes së licencës përfundimtare, duhet të depozitojë për këtë qëllim në BQK një kapital fillestar minimal në shumë jo më pak se 7 milionë euro”.

Sipas të dhënave të BQK-së, në Kosovë operojnë 10 banka komerciale produktet dhe shërbimet e tyre përfshijnë llogaritë bankare, kreditë, pagesa vendore dhe ndërkombëtare, kartela bankare, garancione bankare, letër kredi, e-banking. Qasja në shërbimet e këtyre bankave mundësohet përmes aktualisht 223 degëve dhe nëndegëve.

Aktiviteti  i tyre dominohet nga kreditë, afati i maturimit të të cilave mund të jetë deri në 15 vjet, varësisht nga lloji i kredisë.

Nga totali i kredive është 2,489 milionë euro, kreditë për ndërmarrjet janë 36.27% ndërsa, kreditë për individë  63.51%. Pjesa më e madhe e këtyre kredive absorbohet nga ndërmarrjet e sektorit të tregtisë (50,3% për qind e kredive të ndërmarrjeve), përderisa sektori i industrisë (përfshirë minierat, prodhimtarinë, energjinë dhe ndërtimtarinë) ka 24.27% të gjithsej kredive të ndërmarrjeve. Sektori i bujqësisë aktualisht përbën 3.87%  të gjithsej kredive për ndërmarrje.

Struktura e detyrimeve të sektorit bankar dominohet nga depozitat, të cilat përfaqësojnë 75.4% për qind të gjithsej detyrimeve.

Depozitat e sektorit bankar kanë shënuar rritje vjetore prej 7.3%, duke arritur vlerën prej 3 miliardë euro. Depozitat e sektorit bankar në Kosovë përbëhen nga depozitat e ekonomive familjare me një pjesëmarrje prej rreth 75.40 për qind të depozitave të gjithëmbarshme, përderisa depozitat e ndërmarrjeve private përbëjnë 23 për qind.

Bankat me pronësi të huaj vazhdojnë të dominojnë strukturën e sektorit bankar në vend.

Në qershor të vitit 2017, bankat e huaja menaxhuan 88.3 për qind të aseteve dhe 91.0 për qind të kapitalit të sektorit bankar.

Tri nga tetë bankat me pronësi të huaj kanë vend të origjinës Turqinë, kurse pesë bankat tjera kanë vend të origjinës Austrinë, Gjermaninë, Slloveninë, Shqipërinë dhe Serbinë.

Tregu vendor vazhdon të përfaqësohet nga dy banka. /Lajmi.net/