Të hyrat nga Dogana rriten për 4.5%

Dogana e Kosovës, e cila është njëra nga kompanitë më kontribuuese në shtimin e buxhetit të Kosovës, gjatë periudhës janar – maj 2015, ka siguruar të hyra prej 4.5 për qind më shumë se për përudhen e njëjtë të vitit të kaluar.

Lajme

22/05/2015 15:54

Sipas një njoftimi të Doganës së Kosovës, thuhet se përkundër rënies së importit, dogana ka arritur të sigurojë të hyra të vazhdueshme dhe me trend të rritjes.

“Gjatë vitit 2014 dogana kishte mbledhur 282 milionë euro, kurse në vitin aktual (2015) e njëjta periudhë dogana ka arritur të mbledhë 295 milionë euro”.

“Kjo rritje tregon edhe njëherë përkushtimin e Doganës në realizimin dhe mbushjen e buxheti ashtu që Kosova të ketë fonde të mjaftueshme të cilat rikthehen tek qytetarët e Kosovës përmes investimeve në arsim, shëndetësi, siguri, infrastrukturë dhe shumë nevoja të tjera”.

“Dogana fton qytetarët që të thërrasin në telefonin 0800 50 095 nëse hasin apo shohin keqpërdorime dhe kontrabandim, sepse vetëm së bashku mund të mbrojmë dhe ndërtojmë shtetin tonë”, thuhet në njoftim të doganës.