Të hënën shpalosen detajet e koalicionit parazgjedhor mes AAK-së e Nismës

Marrëveshja në mes të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën për formimin e një koalicioni parazgjedhor është fare pranë konkretizimit dhe ashtu siç ka raportuar Klan Kosova, të hënën do të dilet me detajet e saj.

Lajme

16/04/2016 19:07

Raportimet e djeshme për një marrëveshje dypalëshe AAK-Nisma, i ka konfirmuar për KlanKosova.tv edhe sekretari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi.

“Jemi pothuajse në përfundim të marrëveshjes. Shpresoj që çdo gjë do të jetë gati për të hënën”, ka thënë Sherifi në një prononcim të shkurtër.

Informatën për një koalicion parazgjedhor mes dy partive opozitare fillimisht e dha dje nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini.

“Shpresojmë se do ta formalizojmë një marrëveshje me Nismën. Besoj se shumë shpejtë do ta realizojmë”, tha Gjini.

Se dy subjektet opozitare po bisedojnë për një koalicion e ka pohuar edhe Shefja e Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami.

“Nisma për Kosovën ka pasur mbledhjen e Kryesisë dhe Këshillit. Nga kjo ka dalë propozimi që Nisma të jetë e hapur për koalicion me partitë opozitare, por edhe me të gjithë që e shohin mospunën e kësaj Qeverie”, ka thënë ajo.

Për detajet e këtij koalicioni deri më tani askush nuk ka folur.

I pyetur se a do të jetë ky bashkim forcash një lloj Qeverie nën hije, Sherifi nuk është përgjigjur duke thënë se gjithçka do të sqarohet të hënën.

“Mediet do të informohen me kohë, për kohën dhe vendin e nënshkrimit të marrëveshjes dhe detajet tjera do shpalosen po ashtu në momentin e duhur”, ka pohuar ai.