Të hënën hapet konkursi për regjistrimin e studentëve në universitetet publike

Konkursi për regjistrimin e studentëve të rinj në të gjitha universitetet publike të Kosovës do të hapet këtë të hënë, më 9 korrik.

Lajme

06/07/2018 15:54

Kështu u vendos në Konferencën e Rektorëve të Universiteteve Publike të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.

Sipas kumtesës për media, nikoqir i kësaj mbledhje ishte Prof. Dr. Ramë Vataj, rektor i UPZ-së, njëherësh edhe kryetar i Konferencës së Rektorëve.

Gjithashtu, në këtë mbledhje është diskutuar për mbështetje mes universiteteve me staf akademik.

Po ashtu, është diskutuar për situatën buxhetore të universiteteve dhe nevojën për rritjen e buxhetit për përmirësimin e kushteve në të gjitha aspektet në universitetet publike.

Temë diskutimi ishte edhe nevoja për miratimin e statuteve të disa universiteteve publike në Kuvendin e Kosovës, të cilat funksionojnë me statute të përkohshme.

Konferenca e Rektorëve e Universiteteve Publike të Republikës së Kosovës, për zgjidhjen e këtyre problemeve kërkon bashkëpunimin e institucioneve qeveritare dhe Kuvendit.