Të hapur për zërin e kambanave

Don Lush Gjergji deklaron për lajmi.net se është i hapur për rregullimin e çështjes së zërit të ngritur të kambanave me normë ndërkombëtare. Thotë se Kisha Katolike është për t’ua lehtësuar jetën njerëzve, e jo për t’u penguar atyre.

Lajme

31/01/2014 19:03

Don Lush thotë se Kisha Katolike është e hapur sa i përket kërkesës nga Ministria e Ambientit që me Ligj të rregullohet çështja e “zhurmës” së kambanave në bazë të parimeve dhe normave ndërkombëtare.

Ai thotë se janë për t’i ndihmuar dhe jo për t’i ngarkuar qytetarët.

Në një prononcim për lajmi.net, Don Lush Gjergji shprehet se fjala “zhurmë” tingëllon negativisht, ndërsa konsideron se kambanat kanë një tjetër tingëllimë, atë harmonik.

“Ne jemi për rregullimin e çështjeve me norma ndërkombëtare. Jemi në rregull sa i përket pjesës sonë. Sepse, kambanat janë blerë në Europë dhe janë montuar po ashtu nga ekspertët europianë”.

“Prandaj, jemi të hapur për çdo bisedim dhe çdo marrëveshje dhe rregullim në bazë të normave dhe parimeve që askënd mos ta shqetësojmë në shërbim të Zotit dhe të popullit dhe larg saj që dëshirojmë ta ngarkojmë ose ta shqetësojmë dikë me praninë tonë”.

“Ajo trajtohet më tepër se zhurmë. Edhe pse, zhurmë, është një term i cili e ka tingëllimën negative. Kambanat e kanë një tingëllimë harmonike dhe si të tillë nuk e di se a do të hynte në atë kategori.”

Don Lush Gjergji pohon gatishmërinë për të biseduar, që të gjendet një e mirë të përbashkët. Ai thotë se nuk dëshiron që të ketë pengesë as ngarkesë akustike për qytetarët.

“Jemi të gatshëm me Këshillat apo Komisionet e Ministrisë apo të Qeverisë, a kujtdo tjetër, të bisedojmë, të shqyrtojmë dhe të kërkojmë e të gjejmë të mirën tonë të përbashkët, pa dallimin e askujt”.

“Nëse njerëzit janë të ngarkuar, atëherë mund t’i pengojnë, unë nuk jam ekspert në këtë lami, prandaj nuk mund të them asgjë. Them qëndrimin e Kishës Katolike. Larg saj të jemi pengesë apo ngarkesë akustike për qytetarët tanë. Dëshirojmë sa më tepër t’ua lehtësojmë dhe t’ua zbukurojmë jetën, e jo t’ua rëndojmë apo t’u pengojmë”, thotë  Don Lush Gjergji për lajmi.net.