Të gjithë në Ekonomik e Juridik

Drejtimet më të preferuara në Kosovë për ata që zgjedhin të studiojnë, vazhdojnë të jenë Ekonomiku dhe Juridiku, pavarësisht faktit se tregu është i stërmbushur me të diplomuar të këtyre dy fushave, sa të krijohet përshtypja se çdo i dyti ka njërin nga këto dy profesione.

Lajme

10/07/2015 16:08

Edhe këtë vit numri i aplikantëve në Universitetin “Hasan Prishtina” është mjaftë i lartë, pavarësisht se pranimi i studentëve të rinj do të jetë në numër më të vogël se sa në vitet paraprake.

Ndërsa nga ana tjetër interesimi më i madh i studentëve është fokusuar në Fakultetin Ekonomik dhe Juridik.

Njohësit e fushës së arsimit në vend, theksojnë se kjo po ndodhë shkaku i mungesës së aktiviteteve të këshillimit për karrierë, atyre që kanë zgjedhur të studiojnë.

Profesori Dukagjin Pupovci, drejtor i Qendrës për Arsim të Kosovës, ka thënë për lajmi.net, se interesimi aq i madh në këto dy fakultete është për shkakun që mungojnë aktivitet e këshillimit të studentëve për karrierë ose ndoshta edhe vetëdija e studentëve që në këto dy fakultete mund të kalohet më lehtë.

“Këtë vit mendoj që është bërë një zvogëlim i dukshëm i numrit të studentëve të ri në shkencat shoqërore ku bën pjesë edhe Fakulteti Juridik dhe ai Ekonomik, dhe nëse interesimi për këto dy fakultete është i madh, atëherë këtu ka munguar aktivitet e  këshillimit të studentëve në karrierë”.

“Është shumë e qartë që një numër i konsiderueshëm i tyre nuk janë të vetëdijshëm sesa shumë juristë dhe ekonomistë të papunë ka në Kosovë e nga ana tjetër mund të jetë edhe ajo vetëdija që këto dy fakultete mund të kalohen më lehtë, mund ti shmangin disa lëndë të cilat nuk janë shumë të dashura për nxënësit siç është matematika dhe shkencat e natyrës”.

“Nga ana tjetër është e vërtetë që tregu i Kosovës është shumë i vogël për të pranuar një numër aq të madh të ekonomistëve dhe juristëve”, ka thënë Popovci.

Ndërsa, për Safet Gërgjaliun, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, njëra ndër sfidat më të mëdha që e pret Kosovën në të ardhmen do të jetë reforma e arsimit. Sipas tij, orientimi vetëm në dy fusha, siq janë ekonomiku e juridiku, krijon një tepricë të cilën tregu i punës e ka të pamundur ta absorbojë.

“Është e vërtetë që njëra ndër sfidat më të mëdha që e pret Kosovën në të ardhmen me siguri që do të jetë edhe reforma e arsimit. Duhet të bëhet më tepër që Kosova të kalojë hovin e akademizimit të të rinjve kur të gjithë dëshirojnë të studiojnë dhe askush nuk e mohon. Gjithë kësaj i shtohet edhe pjesa dërrmuese e atyre që studion Fakultetin Ekonomik dhe Juridik, që është diçka që krijon një tepricë, të cilën tregu i punës e ka të pamundur të absorbojë”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai ndër të tjera ka theksuar se për integrim në familjen evropiane nuk duhet të mendohet vetëm dimensioni politik por edhe ai ekonomik dhe i edukimit.

“Në këtë drejtim duhet të bëjmë analiza të përsosura të tregut të punës në Kosovë dhe varësisht nevojave të tregut që kemi të kemi edhe orientime për të studiuar këtë e bën edhe Evropa këtë e bëjnë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për integrim në familjen evropiane  nuk duhet të mendohet vetëm në dimensionin politik por duhet të mendohet dimensioni ekonomik, edukimi dhe përgaditja e të rinjëve për punë”, ka thënë Gërxhaliu.

Këtë vit, numri i studentëve të cilët do të pranohen në Fakultetin Ekonomik është 1380, numër të cilin MAShT e ka zvogëluar për 170 studentë, pas propozimit nga Senati i universitetit.

E në Fakultetin Juridik, do të regjistrohen 900 studentë, 100 më pak se sa propozimi i Senatit. /lajmi.net