Të gjitha rrugët e Prishtinës janë të kalueshme

Komuna e Prishtinës njofton se pas reshjeve të fundit të borës, të gjitha rrugët kryesore janë të pastruara nga kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve të qytetit dhe viseve rurale.

Lajme

28/12/2014 20:22

Në njoftim thuhet se rrugët kryesore të qytetit që janë nën menaxhimin e Komunës së Prishtinës janë të kalueshme dhe po mirëmbahen që nga mëngjesi.
 
“Ekipet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit si dhe Drejtorisë së Inspekcionit janë në terren, të gatshme për të intervenuar në çdo kërkesë të qytetarëve. Aktualisht, janë duke u pastruar edhe rrugët dytësore të kryeqytetit”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
 
Rrugët e qytetit, siç thuhet në njoftim janë të ndara në katër grupe dhe për mirëmbajtjen e tyre janë përzgjedhur katër kompani: “Zahiri”, “Toifor”, “Euro Partners dhe Alko Impex”.
 
Që të katërta, do të kujdesen për mirëmbajtjen e gjithsej 310 rrugëve të qytetit, ndërsa, për mirëmbajtjen e rrugëve në viset rurale të Komunës së Prishtinës, siç njofton komuna janë të kontraktuara dy kompani, “VZ kompani” dhe “Dardania”.
 
”Të gjitha këto kompani sipas kontratës, e kanë për detyrë të bëjnë heqjen e borës, pastrimin e rrugëve dhe trotuareve, hedhjen e kripës sipas nevojës, pastrimin e ngricave si dhe të gjitha problemet e tjera që i sjellë stina e dimrit”, thuhet në njoftimin e komunës.
 
Komuna e Prishtinës, po ashtu bënë lutje tek të gjithë shoferët që të jenë të kujdesshëm gjatë vozitjes si dhe mos të dalin në komunikacion pa pajisjet dimërore.