Të gjeturat penale, Auditori thotë se ka bashkëpunim institucional me Prokurorinë

Zyra Kombëtare e Auditmit ka filluar të publikojë punën e institucioneve publike të vitit 2017. Gjegjësisht po paraqet mos zbatimin e planeve dhe shkeljet që institucionet i kanë bërë gjatë vitit të kaluar gjatë vitin fiskal.

Lajme

03/06/2018 15:20

Auditori shpreson se deri në fund të muajit qershor do të publikojë të gjitha raportet e auditimit për pasqyrat vjetore financiare të vitit të kaluar për institucionet publike.

Në raportet e publikuara, auditori po adreson shumë shkelje të natyrës penale që kanë të bëjnë më shpenzimin e parës publike, kryesisht në fushën e prokurimit, të subvencioneve apo tek realizimi i të hyrave.

Qëndresa Mulaj, zëdhënëse në Zyrën Kombëtare të Auditimit thotë për lajmi.net se Auditori ka bashkëpunim më Prokurorinë e shtetit, por nuk ia drejton këtij institucion të gjeturat e natyrës penale. Thotë se raportet janë të hapura dhe çdo kush mund t’i shoh ato.

“Siç përcaktohet me nenin 7 të Ligjit 05/L-055, zyra Kombëtare e Auditimit publikon të gjitha raportet e auditimit dhe ato janë të hapura për prokurorinë dhe organet tjera relevante në rastet kur ata konsiderojnë se ka elemente të mjaftueshme për të ndërmarrë veprime të mëtutjeshme. Tani jemi në fazën finale të auditimit për vitin financiar 2017 dhe të gjitha raportet individuale të auditimit do të publikohen deri në fund të qershorit, siç edhe parashihet me ligj. Aktualisht nuk jemi në gjendje të nxjerrim konkluzione të përgjithshme pa u finalizuar të gjitha raportet e auditivit”, tha Mulaj

Prokuroria e shtetit shpeshherë ka hapur raste mbi të gjeturat e Auditorit, por ky institucion nuk ka informacione se sa është numri i rasteve të hapura nga organet e rendit mbi të gjeturat e tyre.

“Zyra Kombëtare e Auditimit ka bashkëpunim institucional me Prokurorinë e Shtetit duke respektuar mandatin dhe përgjegjësitë ligjore. Sa i përket informacionit në lidhje me rastet të cilat janë në shqyrtim bazuar në të gjeturat e prezantuara në raportet e auditimit, është në përgjegjësi të Prokurorisë që të komunikojë vendimet e tyre”, tha tutje zëdhënësja e ZKA. /Lajmi.net/