Të akuzuarve nuk u shkojnë ftesat, dështon për herë të pestë seanca për falsifikim të notës në Fakultetin e Mjekësisë

Ka dështuar për herë të pestë seanca fillestare ndaj Merita Dragajt, e akuzuar veprën penale “legalizim i përmbajtjes së pavërtetë” dhe Izet Zeqirit, i akuzuar për “keqpërdorim të pozitës zyrtare”.

Lajme

13/03/2018 16:58

Arsye e dështimit të kësaj seance, sipas gjykatëses Valbona Musliu-Selimaj, ishte se asnjeri nga të akuzuarit nuk i kanë pranuar ftesat, të cilat i kishte dërguar gjykata.

Sipas gjykatëses, ftesa ishte dërguar në shtëpinë e Dragajt, por që nuk ndodhej aty, ndërsa familjarët e saj kishin refuzuar ta pranonin atë.

Kurse, sipas saj, ftesa nuk i kishte shkuar as të akuzuarit Izet Zeqiri, pasi ai e ka ndryshuar vendbanimin dhe nuk është gjetur vendbanimi i tij.

“Pasi nuk ka kushte ligjore, seanca shtyhet në një kohë të pacaktuar deri sa të gjendet vendbanimi i Izet Zeqirit, për të cilin do të lëshohet urdhëresë për verifikim të adresës. Pas gjetjes së adresës, do të lëshohet urdhëresë për sjellje për të akuzuarën Merita Dragaj”, tha gjykatësja Musliu-Selimaj.

Ndryshe, në këtë rast kishte dështuar të mbahet seanca edhe më 11 korrik 2017, për shkak të mungesës së të akuzuarës Merita Dragaj. Për po të njëjtën arsye ishte shtyrë edhe seanca e 20 korrikut 2017.

Në seancën e 5 shtatorit 2017, e akuzuara Dragaj ishte paraqitur në seancë, por atë ditë kishte munguar i akuzuari tjetër Izet Zeqiri. Ky i fundit, kishte kërkuar që të shtyhet seanca e 20 shtatorit 2017, pasi kishte thënë se nuk mund të vij në seancë pa pasur avokat.

Pasi këtë rast ishte duke e gjykuar gjykatësi Valon Kurtaj, që kishte kaluar në pozitën e Drejtorit të Akademisë së Drejtësisë, çfarë kishte bërë që kjo lëndë të kaloi te gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, me ç’rast ishte shtyrë edhe seanca e 13 nëntorit 2017, pasi kishte thënë se i duhet kohë për ta lexuar në mënyrë që të jetë e përgatitur për mbajtjen e seancave.

Sipas aktakuzës, Merita Dragaj derisa kishte qenë studente në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, kishte falsifikuar notën e lëndës së Anatomisë dhe kishte plotësuar fletëparaqitjen e provimit.

Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës, kishte vënë në lajthitje organet kompetente, respektivisht zyrtaren për shërbimin e studentëve. Dhe, si pasojë, nga po i njëjti organ, sipas prokurorisë, i është lëshuar certifikata e diplomimit me titullin doktor i Stomatologjisë. Me këto veprime, Dragaj pretendohet të ketë kryer veprën penale “legalizim i përmbajtjes së pavërtetë”

Ndërkaq, gjithmonë sipas aktakuzës, në bazë të deklaratës me shkrim të të akuzuarit Izet Zeqiri se kinse dosja e Dragajt është e kompletuar, të njëjtës i është lëshuar diploma për të ushtruar profesionin e stomatologes.

Me këtë veprim, Zeqiri pretendohet të ketë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”./Betimiperdrejtesi.com