Të akuzuarit shpjegojnë si ndodhi plagosja e katërfishtë në Pejë

Gëzim Hoxha bashkë me dy djemtë e tij, Rrezonin dhe Rrethimin, kanë dëshmuar sot në gjykimin ku akuzohen për plagosen e katër personave me armë zjarri në Pejë.

Lajme

24/02/2018 13:36

Që të tre po gjykohen për të shtënat e armëve që ndodhën pasditen e 7 qershorit të vitit të kaluar në qendër të Pejës, mbetën katër të plagosur, përfshirë dy kalimtarë rasti.

Ata akuzohen nga Prokuroria Themelore e Pejës për veprat penale “vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Sipas aktakuzës, cak i sulmit të të akuzuarve ishin Nexhat e Bekim Kastrati që kishin pasur një mosmarrëveshje pronësore me të akuzuarit.

I akuzuari, Gëzim Hoxha, sot ka dëshmuar para trupit gjykues për të shtënat që kishin ndodhur ku mbetën të plagosur 4 persona.

Gëzim Hoxha tha ditën kritike kishte pranuar disa telefonata kërcënuese dhe fyese nga Bekim Kastrati.

I akuzuari tha se derisa ishte duke ardhur nga Prishtina në Pejë, me babanë e tij të moshuar dhe dy djemtë e tij, Rrezonin dhe Rrethimin, Bekim Kastrati e kishte telefonuar mbi 5 herë duke e ofenduar dhe kërcënuar për investimet që po bëheshin në lokalin e tij në Pejë.

Ai tha se babanë e kishte marrë për të biseduar me vëllezërit Kastrati dhe “për ta shmangur ndonjë konflikt eventual”.

Por rrugës për në Pejë, Gëzim Hoxha, tha se i kishte marrë me vete disa armë, për të cilat tha se babai dhe djemtë e tij nuk ishin në dijeni.

Kur kishin mbërritur në lokalin e tyre në Pejë, i akuzuari tha se fillimisht ishin takuar me qiramarrësin, ndërsa theksoi se ishin ulur në një tavolinë ai me babanë e tij, kurse djali i tij Rrezoni në tavolinë tjetër, para se të vijë Bekim Kastrati në shoqërimin e një personi tjerë te tavolina e tij.

Hoxha tha se në tavolinën ku ishte bashkë me prindin e tij 82 vjeçar dhe qiramarrësin e lokalit, ishte ulur edhe Bekim Kastrati me Zejnullah Turkun. Më pas tha se kishin ardhur edhe Nexhdet Kastrati dhe një inspektor.

“Baba 82 vjeçar i ka thanë Bekimit “fol zotëri për çka na ke thirrë me ardh prej Prishtinës deri në Pejë”. Përgjigja e Bekimit ka qenë, “ta shti k…. n’gojë, edhe pse koke i vjetër e kishe hangër kadale””, tha Gëzim Hoxha para trupit gjykues.

Ai tha se më pas kishte marrë edhe ai vet kërcënime dhe fjalë fyese nga Kastrati, ndërsa bëri të ditur se kishte dy pistoleta me vete, një në brez, e tjetrën në xhep.

Kur kishin filluar kërcënimet edhe ndaj djalit të tij Rrezonit, Gëzim Hoxha, tha se ishte tërhequr disa hapa prapa dhe ia kishte dhënë një revole djalit të tij.

Rrugës për në veturë tha se tjetrën pistoletë ia kishte dhënë djalit të tij, Rrethimit, ndërsa vetë e kishte marrë armën automatike në veturë.

“Kur e kam kthyer kokën pas e kam pa se Bekim Kastrati bashkë me Nexhdetin dhe inspektorin janë nisë te tavolina e djalit të madh, Rrezonit. E kam pa Bekimin me thikë në dorë”, tha i akuzuari.

Më pas tha se kishte filluar të gjuajë me armën automatike, por tha se nuk kishte për qëllim t’i privojë nga jeta vëllezërit Kastrati, por kishte vepruar sepse tha se djalin kishte në rrezik.

Ai tha se ato momente e kishte parë edhe Rrethimin, djalin e vogël të tij, duke shtënë me armë, kurse për djalin tjerë Rrezonin, theksoi se nuk e kishte parë duke gjuajtur me armë.

Më pas ai tha se nga vendi i ngjarjes ishin larguar bashkë me prindin e moshuar të tij dhe dy djemtë, dhe pasi që kishin arritur në Kuçishtë të Rugovës e kishin telefonuar policinë dhe ishin vetëdorëzuar.

Ai po ashtu theksoi se nga paslufta kishte pasur kërcënime në lokalin e tij nga vëllezërit Kastrati.

Vërejtje në deklarimin e të akuzuarit pati avokati Mustafë Kastrati, i cili mbron të dëmtuarin Bekim Kastrati. Ai tha se trupi gjykues nuk duhet t’ia falë besimin deklaratës së Gëzim Hoxhës.

Gjatë seancës se sotme ka dëshmuar edhe i akuzuari tjerër, Rrezon Hoxha, djali i madh i Gëzimit.

Edhe Rrezoni tregoi se pasi kishin shkuar në lokalin e tyre në Pejë, ai ishte ulur në një tavolinë tjetër, e jo me prindin dhe gjyshin e tij që po bisedonin me vëllezërit Kastrati.

Ai tregoi edhe për kërcënimet dhe fjalët fyese që i kishte pranuar pasi Bekim Kastrati e kishte kuptuar që edhe ai është anëtar i familjes Hoxha.

Më pas ai tregoi kur babai i tij ia kishte dhënë ndërkohë një revole, ndërsa tha se Bekim Kastrati kishte tentuar ta therë me thikë.

Ai e pranoi se kishte shtënë me armë në mënyrë të pakontrolluar, po tha se e kishte bërë nga “tronditja e afekti mendor”.

Kurse i akuzuari tjetër, Rrethim Hoxha, i tha trupit gjykues se dëshiron ta shfrytëzojë të drejtën e mbrojtjes në heshtje.

Seanca e radhës ku pritet të mbahet fjala përfundimtare nga palët u caktua me 16 mars të këtij viti./Kallxo.com