Të akuzuarit për vjedhje të veturës e pranojnë fajësinë

Dy të akuzuar për vjedhje, Lorik Beqiraj dhe Valmir Dinaj, e pranuan fajësinë në aktakuzën e cila i ngarkon ata për vjedhje të rëndë.

Lajme

21/06/2018 16:28

Ata akuzohen nga Prokuroria Themelore në Gjakovë se e kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje ndërsa shpallja e aktgjykimit pritet të bëhet të premten.

Në seancën që u mbajt në Gjykatën Themelore në Gjakovë mungonte dëshmitari Blerand Jaka.

Sipas aktakuzës të akuzuarit në qershor të vitit 2013, në orët e vona të natës në parkingun e banesave përballë stacionit policor në Gjakovë, e kanë vjedhur një automjet të tipit “Opel Cadet”.

Në aktakuzë thuhet se automjeti ka qenë pronë e të dëmtuarit Edmond Xhevaka, i cili brenda në automjet ka pasur dy bombola të gazit, lejen e qarkullimit të automjetit.

Të akuzuarit, sipas aktakuzës, i kanë hapur me forcë dyert e automjetit dhe duke e aktivizuar motorin janë larguar në drejtim të panjohur.

Aktakuza gjithashtu thotë se këtë automjet ata ia kishin shitur Avni Kokajt, por më vonë ai ishte sekuestruar dhe i ishte kthyer pronarit.

Në seancën e së enjtes, pasi që u dëgjuan dëshmitarët Avni Kokaj dhe Edmond Xhevaka, të akuzuarit nga Prokuroria, deklaruan se dëshirojnë ta pranojnë fajësinë.

Prokurori Armend Zenelaj nuk e kundërshtoi pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve, meqenëse është bërë në mënyrë vullnetare dhe i propozoi gjykatës që ta aprovojë këtë pranim.

I dëmtuari Edmond Xhevaka, i cili dëshmoj edhe në cilësi të dëshmitarit, deklaroi se nuk i bashkangjitet ndjekjes penale dhe se nuk kërkon kompensim dëmi.

Përderisa të akuzuarit e pranuan veprën për të cilën ngarkohen, gjyqtarja Diana Sina e aprovoi këtë pranim dhe vazhdoi me fjalën përfundimtare të palëve.

“Tani për tani jam në vuajtje të dënimit për vepër tjetër të ngjashme dhe kërkoj nga gjykata t’i marrë parasysh rrethanat lehtësuese”, tha i akuzuari Lorik Beqiraj.

Edhe i akuzuari tjetër, Valmir Dinaj, tha se ka qenë i dënuar më parë për një vepër tjetër penale.

“Kam qenë i dënuar më parë për vepër tjetër penale dhe kjo është vepra e fundit që kam kryer dhe se nuk kam të inicuar asnjë rast tjetër. Pra i kërkoj gjykatës që pranimi i fajit të merret si lehtësim lidhur me dënimin”, tha Valmir Dinaj.

Në dëshminë e tij i dëmtuari Edmond Xhevaka deklaroi se automjetin e tij e kishte gjetur një javë pasi kishte ndodhur vjedhja dhe se aty ishte paraqitur personi që e kishte blerë automjetin nga të akuzuarit.

Ndërsa dëshmitari Avni Pokaj deklaroi se automjetin e kishte blerë në vitin 2013, përmes telefonit nga të dy të akuzuarit me çmim prej 400 euro.

I pyetur nga prokurori Zenelaj se si ka rënë në kontakt me të akuzuarit, ai deklaroi se kolegu i tij Gazmend Sadiku i kishte njoftuar se “jam i interesuar për të blerë makinë dhe kështu kemi rënë në kontakt dhe jemi takuar me të akuzuarit për blerjen e të njëjtës makinë”.